Nga Edona Llalloshi deri tek Lumbardh Salihu, ja të famshmit që i futen garës për deputetë

Nga Edona Llalloshi deri tek Lumbardh Salihu, ja të famshmit që i futen garës për deputetë

December 12, 2024 0

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë do të mbahen në fillim të vitit 2025, më 9 shkurt 2025. E në listat e kandidatëve për deputetë nga radhët e LDK-së, PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje pati edhe shumë emra befasues, të cilët po ‘luftojnë’ për të zënë një karrige në Kuvend.

Një ndër ta ishte edhe këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Edona Llalloshi, e cila ka aderuar në Vetëvendosje, me numrin 19.

Lajmin për aderimin e saj në Lëvizjen Vetëvendosje e zyrtarizoi edhe vet lideri i kësaj partie, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Edona Llalloshi është ndër emrat më të dashur të skenës sonë muzikore. Në karrierën e saj tre dekadëshe, veç krijimeve cilësore është shquar për personalitet të veçantë. Ajo është pjesë e listës sonë për fitoren e madhe. Me Edonën do të jemi edhe më të përkushtuar ndaj artit e kulturës. Mirësevjen, Edonë”, shkroi Albin Kurti në Facebook.

Një tjetër emër që do jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, në kuadër të PDK-së, është edhe Genc Prelvukaj.

Artisi i njohur paralajmëroi angazhime konkrete për ndryshime të prekshme në qeverisjen e ardhshme, përfshirë rikthimin e fokusit tek interesat e qytetarëve dhe fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

E veç tyre, pretendenti i radhës për karrigen e deputetit është edhe Lumbardh Salihu, si pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Fituesi i Big Brother VIP Kosova 2 u shpreh i lumtur dhe theksoi se do të japë maksimumin e tij.

“E shoh këtë mundësi si një përgjegjësi të madhe dhe jam plotësisht i përkushtuar për të dhënë kontributin tim maksimal, duke synuar mbështetjen e qytetarëve tanë, që LDK të dalë fituese në këto zgjedhje. Programi ynë, “Rruga e Re”, ofron një vizion të qartë për zhvillimin dhe një të ardhme më të ndritur për vendin tonë”, deklaroi Salihu ditë më parë.

Një tjetër këngëtar garon për në zgjedhjet e 9 shkurtit, por që nuk është edhe shumë i njohur për publikun.

Burim Demiri nga Gjilani bëhet e ditur se do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Miq…ndjehem jashtëzakonisht i lumtur t’ju njoftoj se do të jem pjesë e “LISTËS SË KANDIDATËVE PËR DEPUTETË”nga radhët e Koalicionit VV,GUXO dhe ALTERNATIVA në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 !
Duke besuar se Politika në vetvete nuk është asgjë tjetër përpos një menaxhment i cili ju prinë përpara proceseve shtetndërtuese na obligon të gjithëve që të japim kontributin tonë !” shkruan Burimi.

Nga partia në pushtet edhe këto zgjedhje kandidate do të jetë aktorja Adriana Matoshi, e cila po konkurron të fitojë mandatin e dytë si deputete pas atij që e fitoi në zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021-ës.

Dhe sërish nga PDK do të jetë kandidate për deputete ish-këngëtarja e njohur, Eliza Hoxha.

revista.one/