Ngjarja në Fier/ 26-vjeçarja mbyti me tel babain, arrestohet edhe e ëma
July 25, 2025Arrestohet edhe e ëma e 26-vjeçares Ermalinda Rama, e cila mbyti babain Anesti Rama me tel në fshatin Frashër të Fierit. Pas vrasjes, së bashku me të ëmën, kanë tentuar që të fshihnin ngjarjen duke pastruar trupin e 56-vjeçarit dhe me qëllim inskenimin si aksidentale. Nëna e të resë ka mohuar përfshirjen në ngjarje.
Sipas informacioneve, pasi e kanë mbytur me tel, e kanë dëmtuar në pjesët intime. Pasi vrau të atin, vajza telefonoi policinë duke pretenduar se babai kishte humbur jetën si pasojë e një ngjarje aksidentale. Por, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, u krijuan dyshimet se 56-vjeçari nuk kishte humbur jetën aksidentalisht.
Ajo ka pranuar më pas krimin në polici, duke treguar se i ati ishte fanatik dhe se nuk e linte që të vishej si donte apo të argëtohej. 26-vjeçarja i ka thënë grupit hetimor se 56-vjeçari i ushtronte presion në përditshmërinë e saj dhe se kishte debate të shpeshta me të atin pasi nuk i jepte para kur ajo i kërkonte.
“Më pas, 26-vjeçarja, dyshohet se në bashkëpunim me nënën e saj, njëkohësisht bashkëshorte e shtetasit A. R., shtetasen V. R., 53 vjeçe, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke pastruar trupin e 56-vjeçarit. Pas këtyre veprimeve, shtetasja E. R. ka njoftuar Policinë.”, thuhej në njoftimin e policisë një ditë më parë“.
Policia tha se 53-vjeçarja ishte shoqëruar në polici, por nuk ishte arrestuar deri dje për shkak se po hetohej roli i saj në ngjarjen.
Teksa pritet te zhvillohet masa e sigurisë për nënë e bijë, që akuzohen për vrasjen e kryefamiljarit, të dhëna dhe burime nga të afërmit e familjes bëjnë me dije se 56-vjeçari dhunohej dhe keqtrajtohej në familje. Prej vitesh punëtor në një fermë blegtorale në zonë, Anesti Rama kishte shkuar shpesh-herë në punë me shenja në fytyrë, për të cilat thoshte se i ishin shkaktuar nga incidente, por asnjëherë nuk tregoi të vërtetën.
Nga Policia e Fierit konfirmojnë faktin se viktima keqtrahtohej nga bashkëshortja dhe e bija ndërsa fakt i njohur për fqinjët e familjes Rama në Frashër ishte se ai jetonte veçmas nga bashkëshortja dhe e bija, megjithëse në të njëjtin oborr. Prej vitesh 56-vjeçari i vrarë tragjikisht dy më parë, jetonte në dhomën që shërbente si kuzhinë e veçuar nga banesa ku jetonin Valbona dhe Emanilda Rama.
Ferdinant Rama, vëllai i të ndjerit, mes tronditjes tregon se prej 2 vitesh e gjysmë nuk kishte kontakt me të vëllanë.
“E kemi ditur dhe më përpara, nuk shkonin, ajo thoshte nuk e dua burrin. Thoshte merreni dhe mbajeni ju, merrni pensionin e bëni çfarë të doni, unë nuk e dua. Çifti ka dy fëmijë, dy vajza. Unë e mësova nga kunata, lajmëroi gruan time e mori në telefon edhe tha që ka vdekur Anesti. Kam rreth 2 vjet e gjysmë që nuk flisja me vëllanë, se nuk na linte ajo të llafoseshim. E dija që nuk shkonin mirë. Pyesja vëllain tjetër, i them si është Anesti”, tha vëllai i viktimës.

Ndërsa kushëriri i 56-vjeçarit, Edmond Rama pohon se çifti ka patur konflikte të vazhdueshme.
“Policia ka ardhur këtu 10-15 herë”,thotë kushëriri.
Njoftimi i Policisë Fier:
Drejtoria Vendore e Policisë Fier/Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dinamika dhe autorësia e një krimi në familje.
Vrau babanë e saj, nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), dhe e kallëzoi në polici, rreth mesnatës, si ngjarje aksidentale, arrestohet 26-vjeçarja.
Shoqërohet nëna e saj, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për pastrimin e trupit të 56-vjeçarit të vrarë, me qëllim inskenimin e ngjarjes si aksidentale.
Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas kallëzimit të shtetases E. R., 26 vjeçe, rreth orës 23:00 të datës 23.07.2025, se babai i saj, shtetasi A. R., 56 vjeç, kishte humbur jetën aksidentalisht, në banesën e tyre, në fshatin Frashër, u finalizua operacioni “Inskenimi”.
Shërbimet e Policisë, gjatë deponimit të 26-vjeçares dhe gjatë veprimeve të para hetimore, kanë krijuar dyshim se humbja e jetës së 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale dhe për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara.
Gjatë këtyre veprimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë e Fierit, ka rezultuar se shtetasja E. R. ka vrarë babanë e saj, shtetasin A. R., për motive të dobëta, me mjet strangulues (mbytur me tel).
Më pas, 26-vjeçarja, dyshohet se në bashkëpunim me nënën e saj, njëkohësisht bashkëshorte e shtetasit A. R., shtetasen V. R., 53 vjeçe, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke pastruar trupin e 56-vjeçarit. Pas këtyre veprimeve, shtetasja E. R. ka njoftuar Policinë.
53-vjeçarja është aktualisht e shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku po kryhen veprime të thelluara hetimore për të përcatuar shkallën e përgjegjësisë së saj në lidhje me këtë rast. Në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë njoftim shtesë për përgjegjësinë penale të kësaj shtetaseje.
Gjithashtu, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të të gjitha rrethanave të këtij rasti.
revista.one/
