“Njerëz dhe fate”, Alfred Trebicka: Kam besim që do të rikthehet sivjet
January 27, 2023“Njerëz dhe Fate” është telenovela e parë shqiptare, prodhim i Radio Televizionit Shqiptar. Ajo kishte ngërthyer para ekranit në vitet 2000 shqiptarët e të gjitha trevave, për historinë që trajtonte dhe aktrimin perfekt të një kasti të përzgjedhur aktorësh.
Historia e cila në qendër kishte një familje të zakonshme shqiptare, me një djalë problematik të quajtur Flori, që gjendet vazhdimisht mes sherreve dhe probleme të familjes, dhe dy motrave të tij: Erës, që është në kërkim të fatit të jetës dhe e rrezikuar nga fenomenet e kohës, dhe Lolës – vajzës së madhe të familjes e cila gjendet mes pikëpyetjeve të mëdha dhe frikës së infektimit me HIV/AIDS.
Kjo histori shumë e bukur shqiptare u ndërpre pas dy sezoneve, për shkak të mungesës së fondeve, ndonëse regjisori Ylli Pepo e dramaturgu Ruzhdi Pulahu e kishin një ide për vazhdimësinë e tij.
Por kjo ide mori dritë në vitin 2013, kur fillimisht aktori i rolit kryesor në serial Arben Derhemi publikoi një fotografi në rrjetet sociale me aktorin e madh Robert Ndrenika. Ai la të kuptohet se bisedimet për rikthimin e serialit kanë filluar, por nuk zbuloi më shumë detaje.
Në premierën e fundit të tij në Prishtinë, aktori Alfred Trebicka foli mbi këtë lajm që ka entuziazmuar fansat e serialit.
“Unë s’kam drejt të zbuloj gjë, por mund të them që po bëhen të gjitha përpjekjet dhe janë të gjitha shanset dhe të gjitha mundësitë që të rikthehet këtë vit. Detaje më të imëta as unë nuk di. Di domethënë që po punohet shumë fortë për gjetjen e bashkëpunëtorëve, të të gjithë komponentëve, sepse një fjalë goje është të rikthehet prapë, por do të kthehet në një standard tjetër dhe po themi me këto veprat që kanë pasur një lloj suksesi në të shkuarën, është pak siklet sepse duhet të jetë më lartë se çka qenë. Unë kam besim që do të rikthehet sivjet”, ka thënë Trebicka për Telegrafin e Kosovës.
Aktori që luante rolin e dajës në familjen e sfiduar nga problemet e kohës, më tutje ka thënë se e ndjen nostalgjinë e personazhit që portretizonte në serial, të quajtur Betim.
“Sigurisht që kam një nostalgji, sepse 20 vite kthehen në nostalgji – por në rikthim nuk do të jetë më ai i pari. Do të ketë një dimension tjetër. Kaq mund të them domethënë, kaq mund të zbuloj”, ka përfunduar Alfred Trebicka.
Në “Njerëz dhe Fate” luajnë emra të njohur të kinematografisë shqiptare si: Robert Ndrenika dhe Pavlina Mani. Arben Derhemi, Eni Jani, Valbona Imami, Alfred Trebicka e Arta Muçaj – janë disa nga aktorët e roleve pasuese që përbëjnë kastin kryesor të “Njerëz dhe Fate”.