Noizy dhe Slimane pjesë e Fest 63 në natën e parë
December 20, 2024Fest 63 është hapur me këngën “Fëmija e parë” një këngë e gdhendur në fundin e artë të muzikës së lehtë shqiptare, e cila është kënduar nga Vaçe Zela, dhe është sjellë me mjeshtëri nga Drejtoresha Artistike e Fest 63, Elhaida Dani, e cila shoqërohej nga një grup fëmijësh.
Fest 63 do të shquhet jo vetëm për kompozimet dhe tekstet më të mira të shkruara nga kompozitorët dhe poetët, por do shënon edhe mjaft risi të tjera, të cilat plotësojnë mozaikun e Fest 63, duke filluar nga moderimi, dirigjimi, aranzhimi i kompozimeve, regjia skenike dhe ajo televizive, skenografia, ndriçimi e deri tek kostumografia.
Në natën e parë ishin 15 këngëtarë në garë, të cilët do të interpretojnë live në skenën magjike të Fest 63, me skenografi të Albi Çifligut, shoqëruar nga Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, drejtuar nga disa prej emrave më të njohur të muzikës në fushën e dirizhimit si: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Markeljan Kapedani, Oleg Arapi, Olsi Qinami, Armando Broshka dhe Lirjona Sylejmani. Ndërsa bendi drejtohet nga kantautori Elton Deda.
Moderatorët e edicionit të 63-të të Festivalit të Këngës janë Ornela Bregu dhe Enkel Demi. Ornela Bregu ftesën për të qenë moderator e Fest 63, e cilësoi si një rikthim në RTSH, aty ku e ka nisur edhe karrierën e saj 27 vite më parë. Ndërsa Enkel Demi, i njohur edhe për karrierën e tij në Radio Tirana, e cilëson këtë ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për çdo artist dhe audiencë.
Gjatë paraqitjes, Noizy interpretoi live këngën “Vllazni”, e cila është kolona zanore e filmit të tij më të fundit me Bleri MDestanin, “Trouble Shooters”.
Festivali i RTSh-së, që ka mirëpritur gjatë viteve ikona të muzikës shqiptare, ka një histori të pasur me performanca të ndryshme muzikore, por rrallë herë ka pasur mundësinë të ketë një reper si Noizy në skenën e saj.
Ky moment ishte një shenjë e hapjes së dyerve për shkrirjen e dy botëve të ndryshme muzikore – asaj tradicionale dhe asaj moderne, ku hip-hop-i dhe orkestrat simfonike mund të bashkohen për të krijuar diçka të veçantë dhe të paharrueshme.
Publiku i pranishëm ka reaguar me entuziazëm dhe ka duartrokitur gjatë gjithë paraqitjes, duke treguar se Noizy, si një emër i njohur i muzikës, ka vendin e tij në çdo skenë, pavarësisht stilit të tij muzikor.
Edhe Slimane, këngëtari i famshëm francez, do të ishte i ftuar special në natën e parë të Fest 63, duke sjellë një performancë kulmore të festivalit. Ai përfaqësoi Francën në Eurovizion 2024 me këngën e tij “Mon Amour”, një hit që pas suksesit në Eurovizion bëri jehonë ndërkombëtare.
Këngëtarët në garë në natën e parë të Fest 63:
1-Orgesa Zaimi
2-Erma Mici
3-Luna Çausholli
4-Ronaldo Mesuli
5-Mihallaq Andrea
6-Kejsi Jazxhi
7-Lorenc Hasrama
8-Jet
9-Djemtë e Detit
10-Nita Latifi
11-Martina Serreqi
12-Alis
13-Shkodra Elektronike
14-Kleansa Susaj
15-Ardit Çuni
Fituesit shpallen të dielën e 22 dhjetorit, njëri si fitues i Festivalit të Këngës dhe tjetri si përfaqësues i Shqipërisë për festivalin madhështor evropian, Eurovision.
Këngët aktualisht mund t’i dëgjoni në YouTube, megjithatë në festival ju do të keni mundësi t’i dëgjoni duke performuar ‘live’ dhe nën drejtimin e orkestrës në Pallatin e Kongreseve.
revista.one/