“Nuk do të dorëzohem”, Eriksen flet për herë të parë për publikun pas atakut kardiak
June 14, 2021Bota e futbollit përjetoi një moment ankthi dy ditë më parë për shkak se Christian Eriksen u rrëzua papritur në mes të fushës duke humbur ndjenjat. Në minutën e 43, Eriksen u afrua për të marrë topin dhe papritur u rrëzua përtokë duke trembur të gjithë kolegët e tij. Sipas raportimeve futbollisti përjetoi një arrest kardiak, por fatmirësisht arriti të merrte në kohë ndihmën mjkësore dhe të shpëtonte.
Menjëherë pas këtij momenti UEFA njoftoi ndërprerjen e ndeshjes duke u shprehur se përballja do të shtyhet për shkak të një emergjence mjekësore. Eriksen u dërgua me shpejtësi pas 15 minutash në spitalin më të afërt.
Pas dërgimit në spital, mediat ndërkombëtare kanë dhënë lajme të mira për gjithë tifozët. Agjenti i futbollistit, Martin Schoots, ka deklaruar se Eriksen është në gjendje të mirë shëndetësore, merr frymë dhe se mund të flasë.
Madje, ai ka folur për herë të parë pas ngjarjes që trembi botën mbarë.
“Faleminderit. Nuk do dorëzohem, ndihem më mirë tani, por dua të kuptoj se çfarë ndodhi. Dua t’ju falenderoj për gjithçka bëtë për mua”, është shprehur futbollisti për “Gazzetta dello Sport”.
Momentalisht, Eriksen është në kontroll të vazhdueshëm nga mjekët e tij dhe gjendja shëndetësore vazhdon të paraqitet e qëndrueshme.