“One Kiss” i Dua Lipës/ Si u bë hiti i shqiptares një himn i tifozëve të Liverpool në Anfield
March 10, 2022Disa tifozë futbolli kanë mundur të befasohen kur i kanë parë futbollistët dhe tifozët e Liverpoolit duke festuar triumfin në Carabao Cup duke kënduar vargjet e këngës “One Kiss” nga Dua Lipa.
Jurgen Klopp e përshkroi atë moment duke thënë: “Ishte gjë e bukur të festonim me njerëzit pas një kohe të gjatë pa një mundësi për të festuar diçka” – duke iu referuar mungesës së tifozëve nëpër stadiume si pasojë e pandemisë së COVID-19.
Mirëpo, pse tifozët e Liverpoolit e këndojnë pikërisht këtë këngë?
Lidhja e dashurisë mes tifozëve të Liverpoolit dhe “One Kiss” të Dua Lipës filloi kur ajo e performoi hitin e madh në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2018 që u mbajt në Kiev të Ukrainës.
Kur UEFA njoftoi fillimisht se do të kishte një performancë para fillimit të ndeshjes, dukej se kishte një ndjenjë skepticizmi rreth idesë në Evropë, duke pasur parasysh ngjashmëritë me aktivitetet e sporteve amerikane.
Ndërkohë që disa tifozë të futbollit mund të jenë ende të pasigurt për konceptin, 30.000 tifozët e Liverpoolit që kishin udhëtuar 2.897 kilometra për të arritur në stadiumin NSC Olimpiyskiy, sigurisht që ishin pro teksa këndonin tekstin e “One Kiss”.
Pavarësisht humbjes prek 3-1 nga Real Madridi i Zinedine Zidane në atë sfidë, në ditët në vijim, videot e tifozëve të Redsave që këndonin këngën u bënë virale në mediat sociale dhe kështu lindi një traditë e re.
“Një nga pikat kryesore të asaj nate ishte padyshim që të shihja videon e të gjithë tifozëve të Liverpoolit që këndonin së bashku ‘One Kiss’ më pas. U ndjeva shumë e nderuar”, kishte thënë Dua Lipa për faqen zyrtare të klubit në vitin 2020.
Pavarësisht se fituesja e trefishtë e çmimeve Grammy ka lansuar disa hite të mëdha që nga ajo finale e Ligës së Kampionëve, “One Kiss” duket të jetë kryesorja që i ka mbërthyer tifozët e Liverpoolit.
Megjithëse, koncerti “Future Nostalgia” i këtij viti që do të mbahet në Liverpul (në fund të muajit prill) mund të krijojë një dashuri të re me fansat e Reds.
Për çfarë flet kënga “One Kiss”?
“Të biesh në dashuri është lehtë” – është tema e përgjithshme e kësaj kënge romantike fituese e shumë çmimeve.
Lirikisht, kënga thotë se “Një puthje është krejt çfarë duhet, të biesh në dashuri me mua”, duke manifestuar se një puthje mjafton për të rënë në dashuri me shqiptaren e famshme.
Kënga sigurisht u këndua dhe u interpretua nga Dua Lipa, por ishte e prodhuar nga DJ dhe producenti skocez, Calvin Harris. revista.one/