Parashqevi Simaku tregon për herë të parë pse u largua nga Shqipëria: Ika me pasaportë të blerë

Parashqevi Simaku tregon për herë të parë pse u largua nga Shqipëria: Ika me pasaportë të blerë

May 30, 2025 0

Këngëtarja Parashqevi Simaku ka dhënë një intervistë të rrallë për gazetarin Blendi Fevziu, e realizuar në New York, ku ajo ka jetuar vitet e fundit, shpesh në kushte të vështira.

Këngëtarja që për dekada mbushi skenat shqiptare me zërin e saj, tronditi opinionin publik në dhjetor të vitit 2024, kur u shfaq në një kronikë të një televizioni amerikan si një prej personave të pastrehë që jetonin në rrugët e New York-ut.

Në bisedën me Fevziun, Simaku ndau për herë të parë arsyet që e shtynë të largohej nga Shqipëria dhe të zgjidhte një jetë ndryshe në Shtetet e Bashkuara.

“Shkova të jetoj jashtë sepse pas COVID-it më dukej si diçka e jashtëzakonshme që po ndodhte. Sikur nuk jetonte njeri, sikur nuk kishte më njerëz të gjallë… Dhe ngaqë kisha studiuar kaq shumë anglisht, më dukej normale të provoja një fillim të ri,” – rrëfeu ajo me sinqeritet.

E pyetur për përfshirjen e saj me mësimet fetare ndër vite, Simaku tregoi se kjo ishte një dëshirë që kishte lindur që në fëmijëri.

“Nëna dhe babai im çoheshin në mëngjes dhe shkonin në gjumë duke iu lutur Zotit. Në Kavajë ne vetëm Allahun e njohim si Zot. Më vonë, mu dha mundësia të qëndroja në Brooklyn, në një shtëpi shumë të mirë, ku studioja vetëm. Isha e përkushtuar ndaj besimit dhe studimit,” – tha ajo.

Por periudha më e vështirë erdhi kur ajo përfundoi në rrugët e qytetit, duke jetuar si e pastrehë.

“Jetoja në Times Square. Për ushqim kishte shumë organizata që kujdeseshin për ne. Të jetosh si e pastrehë është një zgjedhje. Çdo ditë dhe çdo natë kishte organizata që na jepnin batanije dhe përpiqeshin të na çonin në strehimore, por shumica nuk donin të shkonin. Si shtëpi të përhershme mund të them Starbucks – aty më njihnin të gjithë. Shkoja, flija në mëngjes dhe qëndroja ngrohtë kur ishte ftohtë. Pija nga 3-4 kafe në ditë, të gjitha falas. Atyre iu dukej e çuditshme që unë isha gjithmonë shumë e sjellshme,” – tregoi me emocione këngëtarja.

Intervista me Parashqevi Simakun është një dëshmi e fortë për fuqinë e mbijetesës, spiritualitetit dhe zgjedhjes personale për të jetuar një jetë të thjeshtë, larg reflektorëve, por me dinjitet dhe besim të palëkundur.

Simaku rrëfeu me emocion për arsyen që e shtyu të largohej nga vendi në fillim të viteve ‘90. “Nëna ime më tha: Do shkoj të shoh vëllain tim në Itali, që ishte një nga këta refugjatët. Qante gjithmonë… më lutej sepse unë isha shumë e njohur. Me mikeshën time shkuam në ambasadën italiane”, kujton ajo.

Ambasadori italian i asaj kohe, siç tregon këngëtarja, e kishte njohur nga mbrëmjet festive që organizoheshin për Krishtlindje dhe nuk e kishte harruar emrin e saj. “I thashë: Të lutem… Ai tha: Po ti je Parashqevia! Mos ki merak, do e marr Dash Dervishin në telefon. Do bësh gati guest room,” tregoi ajo me një ndjenjë mirënjohjeje për mbështetjen që kishte marrë në atë kohë, ndërsa shton se “s’kisha asnjë lekë!”.

Një detaj intriguese nga rrëfimi i saj ishte mënyra si arriti të largohej më pas drejt SHBA-ve. “Ishte dhuratë për mua. Më sollën atë makinën diplomatike. Vjen një burrë e grua nga New York-u, ishin nga Dibra e Maqedonisë, dhe ata donin të hapnin muzikë në New York. Erdhën dhe më blenë një pasaportë – ishte kalabreze, me emrin Victoria Marini. Flisja italisht, dukesha si italiane.

Në 9 mars 1992, Parashqevi Simaku mbërriti në New York, një moment që e përshkruan si të paharrueshëm. “U shokova kur erdha. Gjëja e parë që mendoja ishte: pse është qielli kaq i lartë? Në Shqipëri ato retë i kemi si kapele. Më dukej sikur kisha shkuar në një botë tjetër”.

Në rrëfimin e saj në “Opinion”, Simaku foli edhe për pranimin dhe dashurinë që mori nga komuniteti shqiptar në SHBA. “Shqiptarët këtu më donin shumë,” tha ajo me emocion. Ajo theksoi gjithashtu se muzika i dha një fillim të ri dhe një jetë të re në tokën e largët. “Fitonim shumë me muzikën. Për ne ishte përrallë!”

revista.one/