Pas 18 vitesh, Gjykata italiane shpall të pafajshëm shqiptarin e ekstraduar nga Tirana  

Pas 18 vitesh, Gjykata italiane shpall të pafajshëm shqiptarin e ekstraduar nga Tirana  

October 25, 2025 0

Pas 18 vitesh përndjekje dhe gati 2 vitesh burg, drejtësia italiane i ka dhënë fund kalvarit të pafund të 56-vjeçarit shqiptar Leom Komnela, i cili u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Salernos, që urdhëroi edhe lirimin e tij të menjëhershëm nga qelia.

Komnela ishte arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ekstraduar në Shqipëri në mars të vitit 2024, me emrin Mnela Leonard, një rast që në atë kohë u cilësua si ‘sukses i policisë shqiptare’ nga ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
Megjithatë, sipas vendimit të fundit të gjykatës italiane, ishin pikërisht autoritetet shqiptare që krijuan konfuzionin, duke ngatërruar identitetin e Komnelës me një tjetër person të dënuar.

Pas më shumë se 16 muajsh burgimi në Shqipëri, Komnela u dërgua në Itali, ku besohej se ishte personi i dënuar Leonard Mnela, i akuzuar për bashkëpunim me organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhvatjeje, trafik droge dhe shkelje të ligjit për armët.
Por, siç rezulton tashmë nga hetimet dhe dokumentet gjyqësore, Leom Komnela nuk ishte i njëjti person, duke e bërë mbajtjen e tij në burg të pajustifikueshme.

Avokatja e tij, Ilenja Mehilli, e cila ka ndjekur çështjen për vite me radhë, deklaroi se iu deshën 18 vite për të bindur drejtësinë që klienti i saj nuk ishte Mnela.
Komnela kishte emigruar në SHBA në vitin 2003, është i martuar që nga 1996 dhe baba i dy djemve. Ai është gjithashtu autor librash, me romane të botuara në Shqipëri dhe SHBA, madje edhe në gjuhën spanjolle.

Gjykata e Apelit të Salernos i ka kërkuar prokurorisë të hetojë shkaqet e ngatërrimit dhe përgjegjësitë e autoriteteve, ndërsa për 56-vjeçarin shqiptar, vendimi i fundit shënon fundin e një tragjedie njerëzore që zgjati gati dy dekada.

revista.one/