Përurohet Abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri, nxënësit do të kenë një tekst unik
September 1, 2022Sot në Gjakovë është zhvilluar ceremonia e përurimit të Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri, me të cilën nga ky vit shkollor do të mësojnë të gjithë fëmijët shqiptarë kudo që jetojnë.
Në ceremoninë e përurimit ishte kryeministri Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Evis Kushi, ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me këtë rast tha se fati i shkollës shqipe ka qenë i lidhur ngushtë me fatin e kombit.
“…Nga sot fëmijët tanë anembanë viseve të banuara me shqiptarë do ta mësojnë si Abetare e përbashkët dhe unike. Sot kombin tonë e përbashkon edhe kjo Abetare…. Vetëm bashkë, krah për krah me njëri-tjetrin mund t’i shtyjmë përpara interesat tona për zhvillim e përparim në çdo fushë…”, u shpreh Kurti.
Ai tha më tej se duhet të vazhdohet me jetësimin e idesë politike në programe e politika zhvillimore e në aktivitete të përbashkëta edukative e arsimore.
“I lumtur që sot kemi në duar këtë Abetare për të gjithë u zotuam në marrëveshjen e mbledhjes së përbashkët midis dy qeverive tona në nëntor të vitit të kaluar”, shprehet kreu i ekzekutivit të vendit.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se përurimi i Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri është moment historik dhe se nxënësit shqiptarë kudo që janë do të kenë një tekst unik.
Ajo po ashtu njoftoi se nga tetori i viti 2022, studentët nga Kosova në Shqipëria dhe anasjelltas do të mundësojnë të studiojnë pa asnjë problem administrativ.
E pranishme në ceremoninë e përurimit të Abetares së përbashkët ishte ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
Ajo tha se ndër punët më të mira që kanë bërë është kjo e përurimit të Abetares, ndërsa tha se kjo do të mbahet mend gjatë.
“Unë jam shumë e nderuar sot që jam këtu mes jush në këtë ditë që do mbahet mend gjatë në kujtesën tonë”, tha Evis Kushi.
Ministrja e Shqipërisë e vlerësoi si shumë cilësore Abetaren e përbashkët, që sipas saj, reflekton më së miri zhvillimet arsimore, kulturore, sociale.
Ndryshe, botues të Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri janë shtëpitë botuese “Dukagjini” në Kosovë dhe “Pegi” në Shqipëri.
revista.one/