Pesë artistët e rinj që u bënë “Big” në natën e parë të Këngës Magjike
May 26, 2021Tete këngëtarë te rinj u ngjitën në skenën e Këngës Magjike, në këtë natë të parë gjysmëfinale të edicionit të 22-të këtij festivali. Por jo të gjithë arritën të kalonin në kategorinë e artistëve Big. Martina Sereqi, Andrea Vathaj, Kras, Urban Band dhe Niki, ishin artistët e rinj që arritën të merrnin votën e jurisë së përbërë nga Enkel Demi, Jonida Maliqi, Markelian Kapidani, Arben Skënderi dhe Kozeta Kurti.
Xhuljo hapi siparin e natës së parë gjysmëfinale të festivalit “Kënga Magjike”. Këngëtari i kategorisë New Artist performoi “Waiting for me”. Xhuljo e çoi deri në fund këngën e tij, ndonëse 3 prej anëtarëve të jurisë nuk i dhanë atij dritën jeshile.
Artistja e dytë në kategorinë New Artist ishte Martina Sereqi, me këngën “Hana”, e cila pasi mori votat e jurisë iu bashkua artistëve Big.
Andrea Vathaj me “Vai col tempo”, ishte artisti tjetër i ri që iu bashkua kategorisë Big. Ai rrëmbeu 4 votat e jurisë. E vetmja që votoi kundër ishte Jonida Maliqi e cila tha se kishte pritshmëri më të mëdha për të.
Pavarësisht performancën plot emocion, me këngën e tij “Lot”, Glejvis nuk mundi t’i bashkohej kategorisë së artistëve Big.
Kras emocionoi me këngën e tij me titull “Bekuar”. Ai bëri për vete edhe jurinë, që i dha dritën jeshile për t’u bërë pjesë e artistëve Big.
Jurinë e bëri për vete edhe grupi Urban Band, me këngën “Edhe një natë”. Të gjithë anëtarët i dhanë atyre dritën jeshile, duke i kaluar kështu në kategorinë Big.
Elio ishte artisti më i ri në moshë në këtë edicionin të Këngës Magjike. 16-vjeçari solli në skenë këngën “Sekreti”, por nuk mundi t’i bashkohej artistëve Big.
Niki performoi “Zbrazur”. Ajo ishte e fundit që performoi në kategorinë e artistëve të rinj. Artistja nga Korça mori vetëm drita jeshile nga të 5 anëtarët e jurisë