Populli shqiptar i dha pikë Serbisë, reagon Ronela për mbështetjen dhe sharjet
May 15, 2022Në rezultatet që u publikuan pas mbarimit të festivalit të Eurovisionit, u pa se publiku shqiptar “e kishte lëshuar dorën”, duke i dhënë disa pikë modeste Serbisë.
Nga 1 deri në 7 sa janë pikët fillestare, publiku shqiptar me votat e tyre e kishte renditur Serbinë në vendin e shtatë, duke i dhënë tri pikë.
Serbia u rendit e pesta në vlerësimin përfundimtar, përfaqësuar nga Konstrakta me këngën “In Corpore Sano”, duke shënuar një prej rezultateve më të mira të këtij shteti në vitet e fundit në festivalin evropian.
Ndërkohë, në një intervistë të fundit për “A live night”, Ronela sigurisht që nuk u ndalua pa u pyetur rreth eksperiencës së saj në ‘Eurovision 2022’.
“Të gjithë artistët e kanë me qejf Eurovisionin, më beso. Të gjithë duan të shkojnë në atë skenë, sepse në Evropë ajo është skena më e madhe muzikore, që shqiptarët kanë mundësi të shkojnë. Ti do të jesh i suksesshëm, në Evropë e të gjithë botën, se të gjithë jetojmë me ëndrra. Këto janë ëndrrat e para që përjetojnë artistët. Një skenë që mund të jetë prekshme dhe që edhe mund ta arrish, është Eurovisioni. Kisha një material, që mendoja që pasi të bëhej anglisht nëse fitoja, mendoja që mund të dilte bukur. Kam punuar shumë me Marko Polon, Briz Musarain, shumë për këtë këngë. Kemi punuar ditë e natë për të dalë një këngë të një niveli që e meritonte të shkonte në festival dhe të fitonte”, tha Hajati.
Këngëtarja shtoi se në karrierën e saj nuk ka marrë asnjëherë çmim të parë në festivale, deri në dhjetorin e kaluar kur fitoi Festivalin e RTSh-së, i cili i dha biletën e përfaqësimit të Shqipërisë në Eurovision.
“Në festivale të tjera, unë nuk kam marrë asnjëherë çmim të parë, gjithmonë jam vlerësuar por asnjëherë të madhin fare. Sa herë nuk i kam fituar, kam thënë ej ti e meritoje me fitu. Është absolute që nuk është më një sekret që kur të arrish një moment që e do shumë do kesh përplasje. Kënga që shkon në Eurovizion mbështetet, dhe kur nuk fiton, do shahet. Që të futem në finale për mua do ishte një arritje shumë të madhe”, tregoi Ronela në “A live Night”.
Eurovisioni shpesh është komentuar dhe kritikuar si festival i ndikuar politikisht në sistemin e votimit.
Por mesa duket, Shqipëria duket se po i largohet gjithnjë e më shumë formatit të penalizimit me pikë ndaj shteteve me të cilat nuk i ka raportet e mira, ose së paku kështu la të kuptohet finalja e mbrëmshme e ‘Eurovision 2022’. revista.one/