Porositi vrasjen e bashkëshortes, fiksimi i Naim Murselit për t’u shoqëruar me VIP-a

Porositi vrasjen e bashkëshortes, fiksimi i Naim Murselit për t’u shoqëruar me VIP-a

December 2, 2023 0

Naim Murseli i cili nga autoritetet e Kosovës po konsiderohet si i dyshuar për organizimin e vrasjes së gruas së tij Liridonës, bazuar në postimet e tij në “Facebook” duket se ka qenë i dhënë pas luksit dhe i obsesionuar për fotografi me VIP-a e politikanë.

Profili i Murselit në “facebook” është i mbushur me fotografi ku shihet bashkë me politikanë të ndryshëm e me këngëtaret me famë botërore si Dua Lipa dhe Rita Ora, me Kurtin, Ramën, Osmanin, Lajçakun e shumë të tjerë.

Edhe gazetari shqiptar Fevziu ka treguar për një bisedë që kishte pasur me Murselin kohë me parë e ku i kishte treguar se jetonte si emigrant në Suedi dhe se e njihte gjithë elitën e Kosovës

“Më kishte bërë përshtypjen e një njeriu të kulturuar, të sjellshëm që më tregoi të ishte emigrant në Suedi dhe se e donte shumë Kosovën dhe se njihte gjithë elitën e Kosovës”, ka thënë Fevziu.

Fotografitë që Murseli i ka publikuar në profilin e tij në Facebook:

Akuza: Naimi pagoi vrasësin

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla do të dalin nesër para gjykatës, lidhur me rastin e vrasjes së 30-vjeçares, Liridona Murseli. Murseli i cili është bashkëshorti i të ndjerës dyshohet se ka porositur vrasjen e saj, duke e paguar 30 mijë euro një person që ta kryejë krimin.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, e ka konfirmuar se seanca dëgjimore do të mbahet nesër.

“Nesër në ora 09:30 mbahet seanca”, ka thënë shkurtimisht Gashi.

Murseli dyshohet se e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro që t’a vrasë gruan. Raportohet se 15 mijë ia kishte dhënë para krimit të rëndë, e 15 mijë të tjera pas vrasjes.

Zyrtarisht ende s’ëhtë konfirmuar, mirëpo raportimet në media janë se Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjecares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur vrasjen dhe se edhe Murseli e ka pranuar këtë para hetuesve.

Pas arrestimit të tyre, Policia dhe Prokuroria e Shtetit kanë dalë me një komunikatë të përbashkët, ku u tha se ata janë arrestuar në Gjakovë dhe se është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer krimi.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.

Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftim.

Lidhur me vrasjen e Liridonës, është arrestuar edhe Kushtrim Kokalla, që raportohet të jetë nipi i Naim Murselit.

Kokalla është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes.

“Në mesin e të arrestuarve si të dyshuar për vrasjen në Prishtinë është edhe pjesëtari i FSK-së, K.K. Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Për rastin ka reaguar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.

Ajo tha se Murseli ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë, duke thënë se ishin objekt i një grabitje.

“Me punë intesive, angazhim dhe bashkëpunim ndërmjet policisë dhe prokurorisë, janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen për vrasjen e gruas në Prishtinë. Njëri nga personat e arrestuar është bashkëshorti i të ndjerës Liridonës, i cili sipas dyshimeve ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje.

Vlerësoj lartë angazhimin e policisë dhe prokurorisë për sqarimin e rrethanave që shpiejnë në zbardhjen e këtij krimi të rëndë që mori jetën e të ndjerës Liridonës. Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, shkroi Haxhiu.

Kishin aplikuar për divorc në vitin 2019, por çështja s’kishte marrë epilog

Në një dokument që ka publikuar Gazeta Express konfirmohet se Naimi dhe Liridona kishin bërë një kërkesë të përbashkët për divorc përpara autoriteteve suedeze në janar të vitit 2019.

Megjithatë divorci s’kishte ndodhur, meqë brenda periudhës gjashtë muaj deri në një vit, të asaj që cilësohet periudhë e konsiderimit apo shqyrtimit, asnjëri s’kishin shkuar për të konfirmuar se duan divorcin.

Gjykata e Qarkut të qytetit Uddevalla më 24 shkurt të vitit 2020 kishte marrë vendim për të pushuar çështjen nga procedimi i mëtejshëm.

“Më 31 janar 2019, Liridone Murseli dhe Naim Murseli kanë dorëzuar një deklaratë të përbashkët divorci.Gjykata e Qarkut vendosi që divorcit t’i paraprihet një periudhë shqyrtimi prej të paktën gjashtë muajsh dhe maksimumi një vit. Në lidhje me vendimin, gjykata e rrethit njoftoi palët se mund të kërkonin me shkrim ndarjen brenda afatit të caktuar. Asnjë kërkesë për vendim për divorc nuk ka mbërritur në gjykatën e rrethit. Çështja e ndarjes ka rënë. Gjykata e Qarkut e pushon çështjen nga procedimi i mëtejshëm”, thuhet në vendimin e saj.

Si u tentua të fshihej vrasja?

Krimi i rëndë u krye mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë.

Rasti fillimisht ishte kualifikuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.

Në raportin 24 orësh të Policisë u tha se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe u ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.

“GRABITJE ME PASOJE VRASJEN – Rr. Dlip Alshiq, Prishtinë  29.11.2023 –20:26.  Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësitë relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja  e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

Ndërkohë, babai i Naim Murselit, Shaban Murseli, dha dje një version, ku sipas tij, Liridona kishte në çantë 3 mijë euro dhe se kishte rezistuar.

“Sipas çdo informacioni që kam, këta ishin duke u vendosur në shtëpi të re. Liridona kishte pasur një shumë të konsiderueshme në çantë dhe ka bërë rezistencë. Kanë pasur diku te 3 mijë euro. Naimi ishte duke ngarë makinën. Ata i kanë dalë me armë para makinës. Kur ju kanë dalë me armë, Naimi e ka kuptuar se do të vriten të gjithë dhe ka ikur nga makina. Flitet dhe një variant tjetër ku ka hapur derën e fëmijëve dhe i ka thënë bashkëshortes; ik, por ajo ka bërë rezistencë. Por mund të jetë ngatërruar me rripin e sigurimit pasi ishte stresi.”, ka deklaruar ai dje për media.

revista.one/