“Prindërit janë të varfër”/ Luis Meçja që u plagos tek “Fan Noli”, kërkon ndihmë nga publiku për t’u shëruar

“Prindërit janë të varfër”/ Luis Meçja që u plagos tek “Fan Noli”, kërkon ndihmë nga publiku për t’u shëruar

November 28, 2024 0

Luis Meçja, 14-vjeçari i plagosur në sherrin ku mbeti i vrarë shoku i tij Martin Cani ka kërkuar ndihmë financiare për shpenzimet.

Përmes një “Gofoundme” në emër të tij, është shpërndarë edhe mesazhi i Luisit, ku shprehet se prindërit e tij nuk kanë mundësi financiare për të përballuar, spitalin, psikologen apo fizioterapisten. Luisi tregon se është goditur nga dy persona 4 herë me thikë, në stomak, në shpinë dhe në mushkëri.

“Përshëndetje, unë jam Luis Mecja, jam 14 vjeç, kam nevojë për ndihmën tuaj për t’u shëruar. Javën e kaluar më goditën 4 herë me thikë, në stomak, në shpinë dhe në mushkëri. Unë kam një javë në spital, por prindërit e mi janë të varfër dhe nuk paguajnë dot spitalin, psikologun, fizioterapistin. Ju mund të shihni historinë time në facebook, instagram, lajmet se çfarë më bënë dy personat me thika, një masakër“-thuhet në mesazh.

Për të dhuruar para për Luisin klikoni këtu.

Ndërkohë, Spitali i Traumës ka reaguar lidhur me rastin e 14-vjeçarit të plagosur në ngjarjen tragjike ku humbi jetën Martin Cani disa ditë më parë në Tiranë.

Reagim i çuditshëm i Spitalit?

“Gjatë qëndrimit në spital, ndaj 14-vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm.

Në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive. Aktualisht, gjendja e pacientit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës”, thuhet në reagimin e spitalit të Traumës.

Ky reagim vjen pas hapjes së një gofundme  me një vlerë prej 80 mijë eurosh për trajtimin e mëtejshëm të të miturit, ku deri tani është grumbulluar një shumë mbi 70 mijë euro. Një pyetje lind nga ky reagim i panevojshëm: Nuk ka të drejtë Luisi të mjekohet në një spital privat, qoftë këtu apo jashtë shtetit?

Policia kërcënon lirinë e mediave

Policia po i bën luftë dhe presion të hapur Luisit dhe prindërve të tij që të mbyllin gojën për ngjarjen. Policia bën njoftime për shtyp dhe ndalon dëshmitarin okular të vrasjes të tregojë atë që ka parë. Kërcënohen mediat që të japin vetëm versionin e policisë. Një pyetje na lind: Pse trembet policia nga fjalët e dëshmitarit okular të ngjarjes, që përcillen nga media? A mundet policia të marrë rolin e gjykatës? Roli i policisë ka marrë fund në vendin e ngjarjes. Policia nuk ka asnjë të drejtë ligjore të ngrejë versione, të japë gjykime, as dëshmitë e mbledhura prej saj nuk kanë fuqi ligjore. Këto atribute janë të prokurorisë dhe më pas të gjykatës. Sa për mediat, Policia është vetëm njëri burim nga dhjetëra të tjerë që përdoren për të shkuar tek e vërteta. Nuk është gjë e re që policia nuk është burim i besueshëm. Policia ta dëgjojë mirë Luisin që flet për dy persona agresorë dhe mos të merret me mediat, që janë në të drejtën e tyre të raportojnë të gjitha zërat dhe këndvështrimet mbi një ngjarje.

revista.one/