Pronari i hotel “Riviera” në Borsh kanos me armë dy punonjëset nënë e bijë

Pronari i hotel “Riviera” në Borsh kanos me armë dy punonjëset nënë e bijë

August 26, 2025 0

Ky është hotel “Riviera” në Borsh, ku pronari Emanuel Shkëmbi kërcënoi me pistoletë dy punonjëse A.O, 21-vjeçe dhe R.O, 53-vjeçe, nënë e bijë. Ai u vu në pranga për kanosje dhe armëmbajtje pa leje, pasi i ka kërcënuar me pistoletë.

Edhe babai i tij, Alfred Shkëmbi është nën hetim pasi ka dhunuar një tjetër punonjëse. Arma me të cilën kërcënoi punonjëset 26-vjeçari është sekuestruar, ndërsa nën akuzë për fshehjen është vënë një 76-vjeçar.

Njoftimi i Policisë:

“Himarë/ Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit që mund të kishte pasoja të rënda për jetën, në Borsh.

Kanosi me armë zjarri dy punonjëset në hotelin e tij, vihet në pranga 26-vjeçari.

Sekuestrohen arma e zjarrit tip pistoletë, një krëhër dhe 8 fishekë.

Procedohen penalisht babai i 26-vjeçarit, pasi ushtroi dhunë fizike ndaj njërës prej punonjëseve, si dhe një shtetas tjetër që fshehu armën pas konfliktit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas marrjes së njoftimit se një shtetas po kanoste me armë zjarri dy punonjëset e hotelit të tij në Borsh, organizuan menjëherë punën për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi:
    •    E. Sh., 26 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”.

Ky shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri tip pistoletë punonjëset e hotelit të tij, shtetaset A. O., 21 vjeçe dhe R. O., 53 vjeçe, nënë e bijë.

Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:
    •    A. Sh., 56 vjeç (babai i autorit), për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetases A. O.;
    •    P. B., 76 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se pas konfliktit ka fshehur armën e zjarrit tip pistoletë, të përdorur nga shtetasi E. Sh.

Arma u gjet dhe u sekuestrua së bashku me krëherin dhe 8 fishekët, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në njërën prej dhomave të hotelit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.”, njofton policia.

revista.one/