Protokolli i Klosit për sezonin turistik: Mos e shijoni me gishta…!

Protokolli i Klosit për sezonin turistik: Mos e shijoni me gishta…!

June 15, 2021 0

Pasi zbuloi se covid përhapet me valët e muzikës, ministri Klosi bëhet sërish komik. Në rregullat e sezonit turistik ka futur edhe një kufizim të fortë: Mos shijoni ushqimin me gishta!

Ministria e Turizmit ka miratuar protokollin e masave anti-COVID-19 që do të jenë në fuqi dhe të detyrueshme për t’u zbatuar për sezonin turistik për shkak të pandemisë.

Në protokoll një pjesë të veçantë zë edhe manuali për ushqimin, ku specifikohet ndalimi i ngrënies së ushqimit me gishta, por gjithashtu janë vendosur edhe disa rregullave për gatimin.

Pjesë nga Protokolli

Protokolli, i cili është miratuar në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, përfshin dezinfektimin e herëpashershëm të duarve, dhomave apo çdo ambient tjetër të frekuentuar.  Në rastet kur haset një person me simptoma të ngjashme me ato të Covid, duhet raportuar me njëherë.

Manuali për administrimin e Ushqimit dhe Pijeve


–      Kryeni larjen e duarve shpesh dhe sipas kërkesës.

–      Vishni maskë dhe doreza kur përgatisni ose përdorni ushqimin.

–      Shmangni pirjen e duhanit, ruani etiketen respiratore në ambientet ku përgatitet ose shërbëhet ushqim.

–      Ndalohet përgatitja ose prekja e ushqimeve, prekja e sipërfaqeve në kontakt me ushqimin pa patur doreza.

–      Ndalohet shijimi i ushqimit me gishta

–      Ndalohet prekja e flokëve ose pjesëve të tjera të trupit pa doreza kur ndodheni brenda zonave të përgatitjes apo servirjes së ushqimit pasi mund të rezultojnë në ndotje të ushqimit.

–      Menaxhimi i sipërmarrjes turistike, duhet të promovojë sigurinë dhe higjienën e ushqimit për personat që përgatisin dhe shpërndajnë ushqimin.

Shërbimet në stacionet e plazhit

Stafi që shërben pranë stacioneve të plazhit të ketë uniformë dalluese.

Shërbimi për pastrimin dhe mirëmbajtjen e stacionit të plazhit dhe të gjitha ambienteve të tjera të jetë ditor.

Të kryhet dezinfektimi i krevateve të plazhit, shërbimeve higjienike dhe aksesorëve të ndryshëm cdo dite ne menyre periodike, gjatë orarit të hapjes së stacionit të plazhit duhet të sigurohet vazhdimësia e pastërtisë dhe boshatisja e koshave të mbeturinave.

Të gjitha aktivitetet si (bare, beach bare) duhet të jenë në përputhje me direktivat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Brezi i shërbimeve dhe distancat që duhen respektuar

Deri në përfundim të gjëndjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID19, brenda brezit të shërbimeve në stacionet e plazhit, mund të realizohen këto struktura: kioskë menaxhimi për plazhin, kabina, shërbime higjienike, depo, pika vrojtimi/kulla e vrojtimit, hapësirë për rojën e plazhit (në rastin e plazhit publik), beach-bar, hapësirë për vendosjen e biçikletave.

Tavolinat në beach bar duhet të kenë distancë 2 m larg njëra tjetrës

Deri në përfundim të gjëndjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID19, kushtet minimale që duhet të përmbushë një stacion plazhi në plazhet e tipit A, janë, si më poshtë vijon:

1.     a) për çadrat dhe ndenjëset e pushuesve të respektohet një distancë prej të paktën 7m nga vija e bregut të detit, liqenit, lumit;

2.     b) hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) nuk duhet të jetë më e vogël se 3.5 m në linjë horizontale me vijën e ujit, si dhe jo më e vogël se 3.5 m në linjë vertikale me vijën e ujit;

3.     c) të ketë në dispozicion të pushuesve 1 dush me ujë të ëmbël për çdo 100 (njëqind) çadra, i cili duhet të pajiset me sapun, xhel higjienizues;

4.     d) Të gjitha kushtet e tjera, përveç sa më sipër, të përcaktuara nga Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 171, datë 27.03.2019 Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”.

Kushtet minimale që duhet të plotësojë një stacion plazhi në plazhet e tipit B, janë, si më poshtë vijon:

1.     a) hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) duhet të jetë të paktën 3m;

2.     b) të ketë në dispozicion të pushuesve 1 (një) dush me ujë të ëmbël për çdo 100 (njëqind) çadra, i cili duhet të pajiset me sapun, xhel higjienizues;

3.     c) Të gjitha kushtet e tjera, përveç sa më sipër, të përcaktuara nga Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 171, datë 27.03.2019 Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”.