Radhë kilometrike, komandanti i kufirit në Kosovë: Ka ende që thonë ‘po vij për një drekë në Prizren’
September 5, 2021Prej disa ditësh në pikën kufitare të Morinës mes Shqipërisë dhe Kosovës janë krijuar radhë kilometrike për të kaluar për shkak të masave anti-COVID që janë vendosur nga pala e Kosovës. Për të hyrë në territorin e saj qytetarët duhet të kenë pasaportë vaksine, test negativ ose nëse nuk paraqesin asnjërën prej tyre do të duhet të karantinohen për 7 ditë. Për përballimin e situatës, Nexhmi Krasniqi, komandant i kufirit në Kosovë, tha se ka pasur shtim të stafit në pikën kufitare.
Krasniqi tha se stafi është shtuar me 30 %, por fluksi është tepër i lartë për shkak se qytetarët kthehen edhe nga pushimet dhe është fundjavë.
“Staf i shtuar prej një javë që të mos ketë pritje të mëdha. Dita e parë ka qenë e vështirë, por për shkak të shtimit të stafit pritjet e gjata ishin dy ditët e para. Ne kemi 30 % staf të shtuar në pikat kufitare që të mos ketë radhë të gjata. Të mos harrojmë se në këtë pikë kalojnë 6 mijë e deri 18 mijë mjete brenda 24 orëve do të thotë një fluks i madh dhe imagjino kur ka dhe qytetarët që nuk përmbushin dokumente dhe duhet të futen në karantinë”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se në këtë fluks ka edhe qytetarë të pandërgjegjësuar që edhe pse e dinë se duhet vaksinë apo test negativ, vijnë e thonë se po hyjnë në Kosovë për të ngrënë një drekë në Prizren. Në këtë raste ata duhet të kthehen sqaroi Krasniqi ose duhet të karantinohen për 7 ditë dhe kjo shkakton pritje më të gatë dhe radhë në kufi.
“Ne apelojmë që qytetarët të kenë dokumentet, vaksinën ose testin, që të mos ketë radhë të gjata. Nuk i kuptoj dot qytetarët që jo vetëm nuk kanë tampon apo vaksinë, por dhe kur i pyet ku po shkon thonë “për drek në Prizren”. Në këtë pikë kalon edhe transporti i mallrave dhe ai i udhëtarëve dhe jemi duke menaxhuara situatën, por nuk duhet të harrojmë fluksin e madh që vjen edhe për shkak të muajit gusht”, tha për Report TV, Krasniqi, komandant i kufirit në Kosovë.
revista.one/