Rita Ora mbërrin në Tiranë, takohet me nxënësit e Liceut Artistik, porosia e këngëtares: Mos u tërhiqni asnjëherë…

Rita Ora mbërrin në Tiranë, takohet me nxënësit e Liceut Artistik, porosia e këngëtares: Mos u tërhiqni asnjëherë…

September 4, 2022 0

Këngëtarja me famë botërore Rita Ora u takua sot pasdite me nxënësit e Liceut Artistk “Jordan Misja”. Artistja shoqërohej nga prindërit e saj në takimin e organizuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Rita Ora rrëfeu jetën e saj qysh e vogël dhe përpjekjet për të arritur të bëhet një artiste e famshme.

Rita Ora i këshilloi artistët e vegjël që të luftojnë për realizimin e ëndrrave të tyre, duke mos u tërhequr para vështirësive dhe pengesave.

“Unë kurrë s’kam ndaluar së ëndërruari”, është shprehur këngëtarja Rita Ora, ndërsa ka këshilluar të rinjtë që të mos heqin dorë dhe të realizojnë ëndrrat e tyre.

“Kur ju rriteni do të takoni njerëz që do t’ju frymëzojnë të bëni diçka, të tjerë do t’ju thonë se nuk do t’ia dilni dot dhe kjo mund t’ju bëjë të humbni besimin. Por, duhet të fokusoheni te vetja juaj dhe të mos i dëgjoni çfarë thonë të tjerët. Duhet t’i provoni atyre se janë ata që e kanë gabim. Kjo më ka bërë mua të eci përpara”, tha ajo.

Ndërkaq nëna e artistes, Vera Ora, duke marrë shkas nga rasti i abuzimi ndaj 11-vjeçares në Kosovë, iu dha nxënësve një mesazh edukues.

“Respektoni njëri-tjetrin; është shumë e rëndësishme ta dini vlerën tuaj. Meshkujt duhet të tregojnë më shumë respekt ndaj vajzave. Ndaj dua t’ju lë një mesazh: ‘Bisedojini me prindërit apo me njëri-tjetrin çdo problem që keni dhe kërkoni ndihmë nëse keni nevojë’”, u shpreh Vera Ora.

Më herët, sapo mbërriti, këngëtarja e njohur ka postuar një video në TikTok, e cila shfaqet në një nga hotelet në kryeqytet.

“Gjejeni pak se kush bëri promon e parë në Shqipëri!!! Unë!! Shkojmë”- shkruan ajo.

Më 6 shtator, ajo do ngjitet në skenë në Tiranë konkretisht në sheshin “Skënderbej” në kuadër të ‘Tirana European Youth Capital 2022’.

revista.one/