Rrëfehet Elsa Lila: Jeta ime pasi rifitova lirinë
March 31, 2023Këngëtarja e njohur shqiptare, Elsa Lila është rrëfyer për herë të parë për jetën e saj, muzikën, familjen, raportin me të atin si dhe momentin e arrestimit nga autoritetet italiane. Në një intervistë përballë gazetares Mira Kazhani, Elsa tregoi se ka një marrëdhënie shumë të ngushtë me babain, me të cilin u rrit. Ajo zbuloi se i ati ka qënë tenor e se tani jeton në Itali.
Po ashtu, artistja zbuloi se ka një lidhje shumë të ngushtë me vajzën e saj, ndërsa për ish-bashkëshortin tregoi se ai jeton në Madakaskar e se atje drejton një hotel.
Për arrestimin, ajo tregoi sesi policia iu fut në shtëpi, duke i gjetur vetëm libra. Për akuzat e bëra, ajo shtoi se është e pafajshme.
Intervista e transkriptuar
Mira Kazhani: E ftuara e këtij episodi ka fluturuar nga Roma në Tiranë për të ndarë një rrëfim ekskluziv këtu me mua sot. Unë nuk para e përdor këtë mbiemër shpesh “ekskluziv”, për të mos thënë fare, por e vërteta është se Elsa Lila flet për herë të parë në këtë podcast për shumëçka ka ndodhur me jetën e saj vitet e fundit dhe nuk kanë qenë pak. Elsa faleminderit shumë që je këtu sot!
Elsa Lila: Faleminderit ty Mira për ftesën! E vlerësoj shumë dhe faleminderit që më dhe mundësinë për t`u shprehur në njëfarë mënyre.
Mira Kazhani: Nëse dikush do të pyeste ty çfarë titulli do t`i vije jetës tënde, cili do ishte?
Elsa Lila: Mund të thoja “Teatri i absurdit”, ose mund të thoja një roman i Franz Kafkës, sepse jeta ime ka qenë në limitet e absurdit për shumë arsye dhe në shumë momente. Ka qenë një jetë jashtë normales për shumë arsye në momente të ndryshme; që nga vegjëlia, që nga rinia e deri sot.
Mira Kazhani: E nisim me fëmijërinë Elsa, jo se ti nuk ke dhënë intervista, ke dhënë pak, po disa gjëra dihen rreth teje. Ti je rritur më së shumti me babin!
Elsa Lila: Po jam rritur me babin për arsye se prindërit e mi u ndanë kur unë isha 9-vjeçe. Më tej unë shkova të jetoj me familjen e babait tim dhe me gjyshërit e mi. Jam rritur me gjyshërit nga ana e babait, ndonëse gjyshërit nga ana e mamasë i doja dhe i dua jashtëzakonisht shumë, por një pjesë të mirë të fëmijërisë nga mosha 10 vjeçare deri 15 e kam kaluar me gjyshërit e babait tim dhe me babain.
Mira Kazhani: Eni ndërkohë nuk ka qenë me ty në atë periudhë kohe, motra, që je shumë e lidhur, që është 5 vjet më e vogël se ti?
Elsa Lila: Po, dhe në atë periudhë jetonte me gjyshërit nga ana e mamasë, në Vlorë.
Mira Kazhani: Si ka qenë për ju të dyja kjo distancë dhe si ka reflektuar në jetën tuaj të mëtejshme?
Elsa Lila: Është një pyetje shumë e mirë. Eni ishte 5 vjeçe dhe une 10-të. Mungesa fillestare e njera-tjetrës më pas kaloi gati nuk dua të them në harresë por, koha i sheshon dhimbjet edhe mungesat. Në atë periudhë Tirana dhe Vlora nuk ishin të lidhura mirë, pra nuk kishte tren. Treni kishte mbaruar së ekzistuari, nuk kishte autobuza apo mikrobuza që erdhën pak më vonë dhe ishte shumë e vështirë që të shkoje në Vlorë. Bëhet fjalë për 1992-1993-1994. Kështu që unë dhe babi nuk kishim shumë mundësi që të shkonim ta takonim. E takonim 2 apo 3 herë në vit.
Mira Kazhani: Babi çfarë bën? Ku jeton tani?
Elsa Lila: Babi jeton prej vitesh në jug të Italisë, në Leçe. Mbas një periudhe të gjatë aktiviteti në teatrin “Petruzzelli” të Barit si tenor, babai është këngëtar, tenor.
Mira Kazhani: Po e dimë!
Elsa Lila: Doli në pension vitin e kaluar dhe tani vazhdon të punojë si këngëtar si “freelance”. Nuk i pëlqen të jetë në pension natyrisht, e ndjen veten ende shumë të ri, zërin e ka në formë, kështu që nuk punon më në një teatër fiks, por punon në teatre të ndryshme me projekte të ndryshme.
Mira Kazhani: Vazhdoni ta keni një lloj lidhje ekskluzive ju të dy?
Elsa Lila: Unë dhe babai im?
Mira Kazhani: Mbaj mend dikur të kam dëgjuar që ke folur për këtë lidhjen e fortë me babain, për shumë arsye dhe për rrethana të jetës që janë të dukshme.
Elsa Lila: Sigurisht që po! Sigurisht që po dhe për faktin se nuk është e skontuar që të jetë një prind që bën të njëjtin profesion tëndin, kështu që muzika ka qenë një element që na ka lidhur shumë në raportin tonë. Pra ne flasim më shumë për muzikën, kemi komunikuar më shumë për muzikën sesa për eventet personale të jetëve tona. Për shembull ai nuk di shumë gjëra nga jeta ime duke qenë se jetojmë larg, por ama çdo gjë muzikore e ndaj me të.
Mira Kazhani: Do donte ai të dinte më shumë? Je ti që nuk preferon të ndash apo babi nuk ka ndërhyrë?
Elsa Lila: Besoj se të gjithë fëmijët u fshehin disa gjëra prindërve. Edhe unë tani e pres nga Evita ime që është 12 vjeçe dhe mbas disa vitesh do fillojë të më fshehë dhe ajo gjërat e saj dhe kjo besoj se është diçka e shëndetshme.
Mira Kazhani: Është natyrale mendoj. Nuk mund t`i kesh shokë edhe shoqe prindërit. Asnjëherë nuk kam besuar që shoku më i mirë, shoqja më e mirë.
Elsa Lila: Edhe unë!
Mira Kazhani: Edhe s?dua as t`i kem!
Elsa Lila: Edhe unë! Ndryshe do të ishte shok dhe jo prind.
Mira Kazhani: Elsa si të ka ndikuar ty humbja e nënës?
Elsa Lila: Totalisht, ashtu siç do të ndikonte në çdo krijesë, në çdo njeri të këtij planeti. Nëna është personi që të sjell në jetë, është qenia më e afërt me secilin prej nesh dhe ka qenë një tragjedi e jashtëzakonshme. Sigurisht që ka qenë shumë e vështirë, sidomos kohët e para. Unë isha 15 vjeç dhe Eni 11 vjeç. Nuk gjendeshim në vendin tonë, gjendeshim në Itali kur kjo tragjedi ndodhi dhe kanë qenë realisht momente shumë, shumë të vështira për ne. Por kemi mësuar me vitet që dhimbjen ta transformojmë në forcë dhe të mundohemi që me jetët tona, si unë dhe Eni ta bënim atë të ndihej krenare atje ku është shpirti i saj. Jemi munduar gjithmonë. Unë kur kam pasur ndonjë sukses apo kur kam pasur…
Mira Kazhani: Kur linde Evitën, i vure emrin e saj. Ajo quhej Eva.
Elsa Lila: Sigurisht! Absolutisht! Gjithmonë flas me të me mendje dhe i them: “E shikon çfarë ka ndodhur”? “Po të ishe ti këtu do ishe kënaqur shumë!” “Do ishim emocionuar shumë”! “Rri e qetë, ne jemi shumë mirë”! “Çdo gjë po shkon bukur”! “Unë e ndjej që ti je diku, e ndjej dashurinë tënde prej së largu”.
Mira Kazhani: Gjatë fëmijërisë, kur prindërit kanë qenë të ndarë ti nuk ke jetuar me mamin, ke jetuar me babin.
Elsa Lila: Kam jetuar vetëm një vit me mamin.
Mira Kazhani: Çfarë kujton një bisedë, ndoshta jo e fundit, por një bisedë të veçantë që e ke pasur me mamin, diçka, një ngjarje që ke pasur me të. Diçka që të shoqëron ty Elsa?
Elsa Lila: Nuk mbaj mend gjëra. Nuk mbaj mend gati asgjë nga episode që mund të kem kaluar me mamin.
Mira Kazhani: Si e shpjegon ti këtë që nuk e mban mend?
Elsa Lila: Nuk mbaj mend, sepse truri ka një mekanizëm “auto-defense”, auto mbrojtjeje që fshin si me gomë disa evente dhe eksperienca edhe të bukura për të mos vuajtur, për të mbijetuar dhe për të shkuar përpara. Mesa duket ky mekanizëm ka ndodhur dhe me mua. Ajo që mbaj mend është zëri i saj, e kam shumë të qartë në kujtesë. Për fat të keq atëherë nuk kishim suporte elektronike si sot, për të bërë video apo për të regjistruar diçka, kështu që na mbetet vetëm memoria. Mbaj mend fytyrën e saj shumë të bukur. Ka qenë shumë e bukur, por nuk mbaj mend episode konkrete jete të jetuar së bashku me të.
Mira Kazhani: Evita, vajza thonë që i ngjan shumë në pamje?
Elsa Lila: Po!
Mira Kazhani: E konfirmon?
Elsa Lila: Po është totalisht identike me mamanë time, përveç ngjyrave që i ka marrë nga babai i saj, sepse Evita i ka sytë e kaltër dhe është pak më bionde nga flokët. I ka me ngjyrë më të hapur.
Mira Kazhani: Babai i Evitës ku është? Vazhdon jetën e tij prej zhytësi? Nuk jeton në Itali?
Elsa Lila: Babai i Evitës Alessandro, jeton në Madagaskar, në Afrikë atje ku ne u njohëm. Ai vazhdon jeton në Madagaskar, nuk është më zhytës sepse tani ai është 51 vjeç. Kemi 10 vite diferencë dhe mosha nuk e lejon më që të bëjë atë profesion, i cili ka të bëjë me fizikun dhe tani ai punon në ambientin e hotelerisë. Është drejtor hoteli në një prej hoteleve të ishullit “Nosy Be” në Madagaskar.
Mira Kazhani: Keni mbetur shokë?
Elsa Lila: Po!
Mira Kazhani: Keni komunikim të mirë?
Elsa Lila: Po kemi mbetur shumë shokë dhe besoj që distanca ka ndihmuar në të qenurit tonë shokë. Distanca i sheshon shumë gjëra, shumë mllefe.
Mira Kazhani: Shumë e vërtetë Elsa!
Elsa Lila: Shumë emocione negative! Ai sapo ka qenë në Romë tani, sepse në datën 8 Mars ishte ditëlindja e Evitës, mbushi 12 vjeç.
Mira Kazhani: Edhe 100!
Elsa Lila: Kështu që ‘papa Alessandro’ erdhi nga Madagaskar si çdo vit për të festuar ditëlindjen e Evitës, të gjithë së bashku dhe kur vjen qëndron në shtëpinë tonë si një familje normale.
Mira Kazhani: Po kështu duhet të ndodhë!
Elsa Lila: Natyrisht jo në të njëjtin krevat, në dhoma të ndryshme! (qesh)
Mira Kazhani: Po mirë, nuk i dihet asnjëherë mund të rikthehet dashuria. Beson në dashuritë që rikthehen?
Elsa Lila: Jo!
Mira Kazhani: Nuk beson!
Elsa Lila: Jo, absolutisht jo!
Mira Kazhani: A ke një shok ti tani?
Elsa Lila: Jo! Nuk kam një shok!
Mira Kazhani: Po pse e thua kështu me gëzim? (qesh)
Elsa Lila: Jo nuk po e them me gëzim, po e them kështu natyrshëm. Jo, nuk kam në këtë moment. Jam vetëm dhe jam shumë mirë vetëm.
Mira Kazhani: A do e kërkoje?
Elsa Lila: Nuk do ta kërkoja sepse dashuria nuk kërkohet, ndodh. Thjesht ndodh, kur e kërkon gabon.
Mira Kazhani: E vërtetë!
Elsa Lila: Duke qenë pjesa iracionale e trurit që të bën të dashurohesh, në momentin që e kërkon hyn në lojë pjesa racionale e trurit.
Mira Kazhani: Këto frazat që çfarë kërkon do gjesh nuk vlejnë sipas teje?
Elsa Lila: Formulat për jetën janë të pavlefshme. Nuk ka asnjë formulë sepse çdo jetë është ndryshe, njëra jetë është ndryshe nga jeta tjetër, rrethanat në të cilat dikush gjendet, nuk besoj në formula magjike që konturojnë zgjidhjet e jetës.
Mira Kazhani: Ku i ke gjetur ti, jo formulat e tua se secili ndoshta ka në mënyrën e vet instinktet e tij, shqisën e tij, intuitën. Çfarë ke patur ti parasysh me jetën tënde? Ku i ke pasur ti pikat e forta ose dhe pikat e dobëta?
Elsa Lila: Pikat e forta, besoj që jam një njeri i fortë sepse jeta ashtu si më ka rrjedhur më detyroi që ose të bëhesha e fortë, ose ndryshe nuk do t?ia kisha dalë. Mund të kisha probleme psikologjike dhe mund të mos isha e shëndetshme nga ana psikologjike e shumë e shumë kthesa të tjera që mund të më kishin ndodhur nga një jetë jo shumë normale që kam pasur. Po jo vetëm nga ana negative. Jo shumë normale dhe nga ana pozitive, sepse tek jo normalja nuk hyn vetëm… pra jashtë normales “straordinaria” do të thotë jashtë normales.
Mira Kazhani: “Straordinaria la vita tua”.
Elsa Lila: Po jashtë të zakonshmes si të thuash. Kështu që një nga pikat e forta për t?iu rikthyer pyetjes tënde është forca që nuk është meritë e imja, por është besoj rrjedhojë e rrethanave të jetës dhe e mbijetesës, pikërisht asaj që po flisnim përpara që vjen një moment dhe ti thua kam vetëm dy zgjidhje: ose të humbas dhe ta lë veten time të shkojë për lum, ose t`i jap vlerë kësaj jete që është vetëm një, nuk janë dy… Që më ka dhënë nëna ime dhe babi im dhe të respektoj qenien time, sepse ata ma dhanë këtë jetë dhe të shkoj përpara. Kështu që lindi forca brenda meje. Dobësi? 1500.
Mira Kazhani: Nuk do mërziteshe nëse unë do thoja që pritshmëritë e mia, jo vetëm të miat, por besoj të shumë shqiptarëve për Elsa Lilën kur të panë në Sanremo, që kur u ngjite në skenën e Festivalit, unë them që dashuri, unison, dashuri kombëtare si për ty në këto 30 vite për një këngëtar, për një artist nuk besoj se ka pasur. Kështu që ajo pritshmëria jonë kur ti shkove në Sanremo, unë mendova që Elsa Lila do bëjë turet e Celine Dion. Elsa Lila do bëjë turet e Laura Pausinit. Çfarë ndodhi me gjithë këtë talent. Je dhe shumë e bukur. Pra kombinohen të gjitha tek një artist, tek një këngëtare, zëri, bukuria, pamja. Mundësitë t`u dhanë. Çfarë ndodhi?
Elsa Lila: Unë jam një njeri shumë idealist. Kjo është një nga dobësitë e tjera të miat dhe një nga defektet e tjera të miat, sepse është pak e vështirë jeta për njerëzit idealist. Për t`u bërë pjesë e sistemit muzikor, sepse në atë periudhë të Sanremo-s isha një artiste “BMG”. “BMG” është një nga shtëpitë diskografike më të mëdhaja në botë edhe sot e kësaj dite dhe unë kisha një kontratë shumë të rëndësishme më këtë shtëpi diskografike. Kur hyra në atë rrjetë peshku të madhe, isha shumë e re dhe mendova me shumë entuziazëm se ajo ishte kthesa e jetës time dhe gjërat do të kishin shkuar shumë mirë. Në realitet gjërat janë pak më të komplikuara sesa kaq. Një shtëpi diskografike e madhe është një makinë “tritacarne” një grirëse mishi, një makinë grirëse mishi e pamëshirshme. Mishi që grihet janë artistët që futen brenda tek ajo makina dhe shtëpia diskografike i nxjerr. Ke shumë pak të drejta, si nga ana ekonomike dhe nga ana e zgjedhjes artistike të materialeve që ti do të prezantosh. Pra përfundon të jesh një manekin, një “puppet” i komanduar nga politikat e asaj shtëpie diskografike dhe nga ekzigjencat e tregut të atij momenti. Pra shijet muzikore që preferojnë njerëzit në atë moment.
Mira Kazhani: Jam shumë dakord me ty Elsa. E kuptoj që është e tillë dhe e marr me mend që sa më lart, kompromiset janë edhe më të egra, por…
Elsa Lila: Tepër të egra. Gjë që mbas pesë vitesh me këtë shtëpi diskografike unë nuk pranova më dhe kur m`u tha nëse unë doja të rinovoja edhe për pesë vite të tjera kontratën time, për të vazhduar punën me ta, nuk ngurova t`u thoja jo dhe t`u thoja jo, sepse dua të jem një njeri i lirë dhe një artist i lirë. Kjo ka qenë përgjigjia ime.
Mira Kazhani: Ke bërë mirë tani që e mendon në distancë?
Elsa Lila: Absolutisht po! Absolutisht po!
Mira Kazhani: Nuk do doje ti për shembull të kishe sot karrierën e Beyonce, të Dua Lipës, të këtyre vajzave që janë megastar?
Elsa Lila: Jo, nuk kam asnjë lloj etje për famë. Nuk kam asnjë lloj etje për një sukses… Nuk dua të vë epitete të gabuara dhe të jem e keqkuptuar, por shpesh edhe të imponuar nga media, sepse suksese kaq të mëdha planetare nuk ndodhin thjesht për një talent apo për një material muzikor të bukur. Kanë mbrapa një ushtri dhe një mekanizëm shumë të ndërlikuar dhe të koklavitur që bën që një produkt të bëhet një produkt planetar. Dhe unë nuk kam asnjë lloj aspirate. As kurrë nuk e kam pasur të them të drejtën të bëj një jetë pak të lirshme, sepse në ato nivele pastaj jeta bëhet pak e lirshme. Ashtu siç të thashë ato 5 vjet të eksperiencës time me shtëpinë diskografike “BMG” më bënë ta shihja shumë nga afër këtë lloj mekanizmi. Kështu që jo, nuk do të shkëmbehesha në asnjë moment me asnjë, jo vetëm nga emrat që përmende, po asnjë nga emrat e mëdhenj botëror që secilit prej tyre besoj i është dashur që t`i bindet sistemit dhe të bëjë kompromise me veten, me botën dhe me publikun.
Mira Kazhani: Çfarë bën ti me jetën tënde tani në Romë, në Itali? Vitet e fundit çfarë ka bërë Elsa Lila?
Elsa Lila: Vitet e fundit Elsa Lila ka studiuar shumë muzikë baroke. 10 vjeçarin e fundit që në lindjen e Evitës unë u dashurova mbas muzikës që ka ndodhur midis 1600-ës dhe 1700-ës. Duke pasur fatin që isha rritur në Teatrin e Operas falë babait tim dhe e kisha veshin të vrarë me muzikën klasike. Aty përgjithësisht përballoheshin materiale të 1800-ës, opera kryesisht. Tani fatmirësisht programacioni është më i gjerë. Zbulova botën e muzikës baroke. U dashurova totalisht dhe studiova në mënyrë auto-didakte autorë të 1600-ës dhe 1700-ës, kryesisht italianë dhe i vura qëllim vetes që t`i dedikohesha kësaj rryme muzikore, por ama me një risi. Pra, ideja ime është të marr ariet e 1600-1700 dhe t`i këndoj me zërin tim natyral dhe jo me zë të impostuar, me zë klasik.
Mira Kazhani: Si është kjo e të kënduarit barok me zë natyral, një moment vetëm ta kuptoj se unë nuk kam dëgjuar besoj.
(Elsa këndon…)
Mira Kazhani: O Zot! O ç?a zëri që ke Elsa Lila! (duartroket)
Çfarë mendon ti për zërin tënd?
Elsa Lila: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Pse? Sepse kur unë e emetoj zërin tim, në momentin e nxjerrjes, nuk e kuptoj. Se vjen nga trupi. Ne këngëtarët e kemi instrumentin brenda. Në atë moment ngjarja ndodh dhe unë nuk jam koshiente për atë që po ndodh, por ama kur e dëgjoj më pas në regjistrim, unë nuk e dëgjoj sikur po dëgjoj veten time, po sikur po dëgjoj një tjetër.
Mira Kazhani: Pra, si ne të dëgjojmë ty, e dëgjon ti veten. Mrekulli! Je e lumtur tani?
Elsa Lila: Jo. Lumturia është një status shumë i vështirë për mua për t`u përjetuar, sepse kam shumë ngjyra brenda meje, shumë kujtime, shumë njolla, shumë pjesë të errëta të cilat nuk i kam kaluar asnjëherë. Nuk i kam superuar dhe ato nuk më bëjnë që të çlirohem totalisht dhe ta jetoj jetën me një gëzim të jashtëzakonshëm.
Mira Kazhani: E ke menduar ndonjëherë që t`i superosh? Të bësh terapi
Elsa Lila: Ia lë kohës.
Mira Kazhani: Nuk beson tek terapitë?
Elsa Lila: Kam shumë respekt për profesionistët e asaj fushe, sepse kanë ndihmuar shumë njerëz. Unë kam edhe shumë miq psikologë, të cilët më thonë: Ti do të ishe një paciente shumë e vështirë, sepse je shumë koshiente për problematikat që ke dhe që të shqetësojnë. Pra nuk do të vije tek ne dhe të gjeje se ku është problemi. Të të ndihmonim që të gjeje se ku është fillesa e problemit. Ti je tepër koshiente, kështu që do të ishte shumë e vështirë një terapi me ty. Do të ishe një pacient shumë inteligjent dhe shumë koshient”, më thonë.
Mira Kazhani: Kanë thënë Jo ata apo i ke thënë ti Jo terapisë?
Elsa Lila: Ka qenë reciproke.
Mira Kazhani: Jo vetëm unë, besoj disa njerëz e mendojnë që një moment i vështirë dhe i errët në jetën tënde ka qenë si vjet në këtë kohë, në pranverën e shkuar. Ke gjithë të drejtën e Zotit të mos i përgjigjesh kësaj pyetjeje, ose të mos komentosh në atë që unë do doja ta preknim bashkë të dyja sot këtu. Po nëse e ndjen të bësh një koment për atë ngjarje dhe se çfarë të ka lënduar ty më së shumti në atë histori, në atë njollë ndoshta të errët brenda teje, që pavarësisht pafajësisë ne e dimë vetë, janë disa gjëra që vijnë, na ndodhin dhe na shoqërojnë përgjithmonë, na shenjojnë në njëfarë forme jetë tonë.
Elsa Lila: Atë mëngjes të tmerrshëm, 16 mars 2022 ndërkohë që unë flija paqësisht në orën 5 të mëngjesit, flija së bashku me vajzën time përqafuar, më paraqiten në shtëpi 7 policë të armatosur deri në dhëmbë. Përdhunojnë shtëpinë time deri në detaje dhe gjejnë vetëm libra, vepra arti, instrumente muzikore dhe lodra fëmijësh. Më shihnin si të çuditur, sepse kërkonin diçka në shtëpinë time që nuk ekzistonte dhe unë i pyesja vazhdimisht, u thoja: “Çfarë po kërkoni në radhë të parë nga unë dhe çfarë po kërkoni këtu”? “Këtu nuk ka asgjë”! Një proces verbal ku rezultonin të sekuestruar vetëm celulari im dhe iPad-i i vajzës time. Çdo gjë ishte absurde. Pra nuk gjendet asgjë në shtëpinë time. Nuk gjendet asgjë në telefonin tim. Nuk gjendet asgjë përsa i përket figurës time. Nuk kishte asgjë në lidhje me figurën time, por përsëri ata duhet të ekzekutonin urdhrin për të më çuar atje ku më çuan.
Mira Kazhani: Ato dy muaj në izolim si mbijetove ti?
Elsa Lila: Nuk dua të flas për dy javët e izolimit, sepse ka qenë një eksperiencë gati kafshërore, jo njerëzore. Po mundohem të përmbledh gjithë këto kujtime dhe histori në një libër. Po shkruaj një libër dhe do t`i tregoj më në mënyrë të detajuar në këtë libër kur të jetë…
Mira Kazhani: Ide shumë e mirë! Do të të ndihmojë edhe ta…
Elsa Lila: Si katarsis!
Mira Kazhani: Është një katarsis i mirë.
Elsa Lila: Është më tepër një katarsis për mua dhe për ata njerëz që kanë dëshirë të dinë më shumë për eksperiencën time atje, jo për historinë time, sepse nuk ka një histori në lidhje me këtë arrest. Ama eksperienca ime atje brenda është një histori e fortë.
Mira Kazhani: Komunimi i parë që ke pasur ti kur ke hyrë aty brenda?
Elsa Lila: Komunikimi i parë! Kisha një refren që ishte: “Jam e pafajshme”! Nuk kam rreshtur së thëni këtë gjë. “Ju lutem më kuptoni, jam e pafajshme”! “Ju lutem më kuptoni, jam e pafajshme, nuk kam bërë asgjë. Përse jam këtu”? Do të ta shpjegojmë kur të vijë avokati yt! Unë nuk kisha asnjë avokat. Jam futur atje brenda pa avokat, sepse kurrë në jetën time nuk më është dashur një avokat për jetën që kam bërë. Nuk kam pasur nevojë. Avokatin e kam takuar pas tre javëve. Është një rast i rrallë, sepse zakonisht më tregojnë se kur ndodhin këto gjëra, avokati ka të drejtë të shkojë të takojë klientin e tij menjëherë. Unë e kam takuar pas 3 javëve, e para sepse nuk kisha një avokat dhe deri sa u gjet nga miqtë e mi dhe nga familja ime të cilët ishin jashtë këtij lloj ambienti dhe ka qenë e vështirë dhe për ta që të gjenin dikë të ndershëm që të më ndihmonte. Pra refreni im ishte: “Jam e pafajshme! Jam e pafajshme”! Dhe më pas u thashë të futeshin në “Google” dhe të shikonin kush unë isha dhe çfarë dija të bëja dhe cila jam realisht. Jam një artiste nuk jam një kriminele! “Ju lutem, – iu thashë, – shkoni dhe lexoni mbi mua, dëgjoni zërin tim. A mundet një njeri që transmeton atë që transmeton me emocionet e saj, njëkohësisht t`i bëjë dëm shoqërisë? Të jetë një kriminele?” Nuk mund të qëndrojnë të dyja figurat bashkë sepse është e pamundur të qëndrojnë të dyja. E bukura dhe e shëmtuara në të njëjtin trup nuk mund të bashkëjetojnë dhe shumë shpejt e kuptuan të gjithë. Gardianet mbasi kishin parë se cila unë isha në ditët në vijim ndryshuan totalisht sjellje me mua. Bashkëbisedonim në mënyrë ”normale”, jo si një superior me një qenie inferiore. Mundoheshin të më ndihmonin, të më ruanin nga individë të rrezikshëm.
Mira Kazhani: Kishe frikë?
Elsa Lila: Po! Shumë frikë!
Mira Kazhani: Kishe ndonjë situatë të rrezikshme apo…?
Elsa Lila: Atje çdo ditë kishte situata të rrezikshme. Çdo ditë!
Mira Kazhani: Kur fitove lirinë tënde, cila ishte ndjesia që pate?
Elsa Lila: Atje brenda isha e bindur çdo ditë që çdo ditë do ishte dita e fundit dhe unë do dilja. Çdo ditë i thoja shoqeve të dhomës: “Ndoshta sot është dita e fundit, unë nesër do dal. Është e sigurt, unë jam e pafajshme, sigurisht që do vijnë të më shpëtojnë. Sigurisht do vijnë të më marrin prej këtu. Është një gabim shumë i madh. Sigurisht që unë do dal që këtu!” Për mua çdo ditë ishtë dita e fundit dhe mendoja se kur të dilja që aty do kishte qenë për mua një shpërthim.
Mira Kazhani: Triumf!
Elsa Lila: Një triumf, “conquista della liberta” liria ime u rifitua, por zbulova që mbasi njeriu mbyllet me forcë në një vend për shumë kohë, kur del prej atij vendi fillon sindroma e mbylljes dhe nuk jam as e para dhe as e fundit. Pastaj u informova për këtë, u ndihmova për këtë. Unë për një kohë të gjatë mbas kësaj nuk dilja dot rrugëve të Romës. Nuk dilja dot nga shtëpia. Më kapnin kriza paniku dhe vazhdoja mbylljen. Vazhdoja të isha në burg në shtëpi, sepse kisha frikë të dilja dhe nuk e kuptoja as se nga se kisha frikë.
Mira Kazhani: Elsa si u ndjeve kur lexove komentet negative nga Shqipëria, për arrestimin tënd?
Elsa Lila: Dua të them në radhë të parë që gjatë kohës që unë isha atje brenda nuk dija asgjë nga e gjithë kjo.
Mira Kazhani: Kush t?i tha komentet? Kur i mësove? Kur dole?
Elsa Lila: Kur dola.
Mira Kazhani: Kur i lexove çfarë ndjeve?
Elsa Lila: Unë nuk kam lexuar asgjë, m`i kanë thënë. Nuk kam lexuar se përse unë të marr një energji negative në mënyrë të padrejtë nga njerëz që nuk e dinë historinë time dhe thjesht shfryjnë mllefet e tyre dhe kënaqen me disfatën e tjetrit.
Mira Kazhani: A pate dëshirë të bësh një reagim?
Elsa Lila: Jo!
Mira Kazhani: Pse?
Elsa Lila: Sepse do të ishte i kot. Reagimi do të ishtë i kot. Thjesht do t`i jepja “click-e” të tjera gazetave dhe “like” të tjera gazetave që shumë u morën dhe shumë “click”-e morën nga fatkeqësia ime dhe vajzës time.
Mira Kazhani: A ke ndonjë pritshmëri nga ky podcast?
Elsa Lila: Unë gjërat i bëj sepse i ndjej, jo se kam një pritshmëri. Unë kisha shumë dëshirë të bisedoja me ty. Kisha shumë dëshirë që në njëfarë mënyre t`i tregoja diçka më shumë njerëzve që më duan dhe njerëzve që më kanë përkrahur. Nuk jam këtu për ata që pa më njohur kanë përbuzur figurën time. Jam këtu për ata që më duan dhe që më kanë mbrojtur gjatë asaj periudhe, sepse duke mbrojtur Elsën, pa ditur ata kanë mbrojtur edhe Evitën. Ata kanë mbrojtur dhe babin tim. Ata kanë mbrojtur dhe motrën time. Ata kanë mbrojtur dhe gjyshërit e mi.
Mira Kazhani: Kanë mbrojtur artisten e tyre që u ka dhënë gëzim, i ka bërë krenar kur shkove në Sanremo, u ke dhënë emocione.
Elsa Lila: Sigurisht! Absolutisht! Pra unë e ndjeja të nevojshme që mbasi u shfaqa përpara publikut tim në dhjetor në festival me këngen “Evita”, të dedikuar vajzës time, e cila ishte në njëfarë mënyre një përgjigje publike për të gjithë: “Ja ku jam! Jam këtu! Jam unë, Elsa përsëri!”
Mira Kazhani: E kuptuan njerëzit, kështu e morën besoj.
Elsa Lila: Dhe nuk bën tjetër gjë përveç muzikës dhe këndimit dhe rritjes së Evitës.
Mira Kazhani: Përveç muzikës tënde, muzika që ti bën dhe arti që bën, koncertet të sjellin ty financa të mjaftueshme apo ti ke dhe një punë që e ke bërë gjatë këtyre viteve? Pra me çfarë e paguan qiranë në Romë, shkollën e Evitës, nuk e di si fuksionon.
Elsa Lila: Shkolla është publike!
Mira Kazhani: Ok shumë mirë! Po është e shtrenjtë Roma.
Elsa Lila: Unë besoj në institucionin publik sidoqoftë. Për një periudhë të gjatë unë hapa një aktivitet të vogël së bashku me Evitën që ishte një Airbnb. Quhej “secret cave” (qesh) “guva sekrete”, sepse ishte si njëfarë guve e vogël. Gjatë periudhës që unë u mora me studimin e muzikës baroke, me regjistrimin e materialeve të Giovanni Battista Pergolesi e të tjerë e të tjerë, nuk mund të fitoja akoma para me atë muzikë. Kështu që m`u desh të hapja një aktivitet të vogël. Nuk mund të them biznes. Po Roma duke qenë një qytet turistik edhe nëse ke një dhomë të vogël, ajo të jep disa të ardhura.
Mira Kazhani: Në mos rrjedhë, do pikojë.
Elsa Lila: Po, unë nuk jam pronare e asnjë shtëpie e asnjë gjëje. Nuk posedoj asgjë, as makinë, as shtëpi, as në Itali as këtu në Shqipëri. Nuk kam asgjë në pronësinë time, por ishte një apartamenti i vogël…
Mira Kazhani: Do doje të kishe?
Elsa Lila: Nuk kam këtë lloj aspirate të them të vërtetën. E di pse? Sepse në mentalitetin tim unë kam një mentalitet “nomad”. Nuk më pëlqen të rri në të njëjtin vend. Pra ideja e të pasurit një shtëpi diku që do të thotë që ajo shtëpi e imja do të jetë deri kur unë të vdes, ajo do të jetë shtëpia ime, më tmerron. Kam lëvizur gjithmonë në shtëpi me qira edhe me Evitën. Me Evitën kam ndërruar katër apartamente. Jo se kam dashur, po e shisnin atë apartament dhe unë mblidhja plaçkat, Evitën në kurriz dhe gjenim një apartment tjetër. Kështu edhe “secret cave” ishte një nga apartamentet ku ne banonim dhe na u desh të lëvizim në një apartament tjetër dhe “secret cave” e transformuam në një Airbnb. Pse flas në shumës? Sepse me Evitën bënim check-in, me Evitën bënim check-out sepse unë jam një mama vetëm. Atëherë ku do ta lija Evitën kur vinin turistët dhe do t`i prisnim? Kështu që ajo ishte ortakja ime në biznes.
Mira Kazhani: Tani pse flet në të shkuarën? Nuk është më ky biznesi, “secret cave”, nuk është më sekret?
Elsa Lila: Nga “secret cave” për fat të keq ka mbetur vetëm targa që e kisha bërë unë me dorë prej druri, shumë të bukur, sepse pandemia e shkatërroi çdo gjë. Dhe m`u desh në 2020-ën përpos të tjerave duke qenë se nuk ishte më “secret cave” ynë i dashur, ajo guva jonë sekrete me Evitën m`u desh të mbaja radha në Komunën e Romës, në bashkinë e Romës ku bëhen aplikimet dhe m`u desh që të aplikoja për të marrë ndihmat e shtetit. Dhe unë me Evitën për dy vitet e tjera me radhë kemi jetuar me një rrogë të vogël të ndihmës së shtetit, e cila u jepej njerëzve në nevojë që kanë zero të ardhura, që biznesi apo puna e tyre e vogël kishte falimentuar nga pandemia. Qeveria vuri në dispozicion një buxhet për të ndihmuar popullatën në vështirësi në atë periudhë dhe unë dhe Evita ishim një nga ato që u vunë në radhë dhe jetuam me ndihmat e shtetit, sepse s?kishim me çfarë jetonim. Unë që merresha me aktivitete kriminale dhe që isha shumë e pasur. S?kam asnjë biçikletë! Përpara kisha “secret cave”, më pas kisha ndihmën e shtetit.
Mira Kazhani: Po tani?
Elsa Lila: Tani kam filluar përsëri të punoj me muzikën në Itali. Këtë janar, shkurt dhe mars kam pasur shumë aktivitet me orkestrën “Nottura Clandestina” dhe maestron Enrico Melozzi, i cili më shoqëroi edhe në Tiranë në festival. Ishte dirigjenti që dirigjonte. Ai ka themeluar një orkestër simfonike që quhet “Notturna Clandestina”.
Mira Kazhani: Dakord, shumë mirë! Elsa Lila ti…
Elsa Lila: Gjithmonë me shumë diskrecion…
Mira Kazhani: Gjithmonë idealiste ti shumë mirë, pak pragmatiste ke dëshirë të bëhesh? Për shembull Evitës do t`i bëhej pak mirë sikur ti të ishe një llogaritare e këtij zëri që e ke të florinjtë?
Elsa Lila: Sigurisht unë si nënë do të kisha shumë ëndrra për të dhe nuk do mbaroja së plotësuari dëshirat e saj, por kam edhe fatin që kam një vajzë shumë të zgjuar, përveçse të bukur, e cila më ngjan përsa i përket këtij aspekti që është shumë më e interesuar tek substanca sesa tek forma. Pra Evita nuk është nga ata fëmijë që në mëngjes para se të shkojë në shkollë mendohet shumë se si të kombinojë bluzën me xhinset. Sigurisht si mua dhe asaj na pëlqen që të jemi të pashme, të rregullta kur dalim por nuk është ky objektivi ynë kryesor. Pra Evitës nuk i ka munguar asgjë themelore, asgjë që ka të bëjë me substancën. Gjërat që kanë të bëjnë me formën sigurisht që po, sepse mundësitë që unë kam pasur ato kanë qenë dhe nuk kam pasur mundësi t?i blej gjëra shumë të shtrenjta. Apo pianon më është dashur pesë vjet që ta paguaj çdo muaj nga 30 euro në muaj, nga 40 euro në muaj se na u desh pianoja, flautin po ashtu sepse na u desh flauti, sepse Evita është flautiste, por i bie dhe pianos, po gjithashtu edhe unë. Pra nuk ia kam kaluar këtë lloj manie dhe nuk e kam as unë fare. Jo vetëm, por unë jam një ekonomiste shumë e keqe dhe kur ndodhi ajo që ndodhi më thanë që nëpër gazeta ishte shkruar që unë paskam qenë llogaritarja e këtij grupi dhe kush më njeh mua nga afër më thanë: “Po këto gazetat si nuk të gjetën një rol tjetër, se ti i ke xhepat e shpuar. Ti vetëm për llogaritare nuk je moj Elsa”. Nuk jam fare e aftë. I admiroj ata që janë të aftë dhe dinë të bëjnë para, dinë ta shfrytëzojnë talentin e tyre për të bërë edhe para, për mua talentin tim e shfrytëzoj vetëm për të bërë për të qarë njerëzit, për t`i bërë të emocionohen. Unë atë kam për qëllim. Nëse unë në skenë, mbas saj, më vijnë njerëzit dhe më thonë: “U përlota dhe sonte”… ahh nuk ka të paguar.
Mira Kazhani: Kjo është pasuria jote!
Elsa Lila: Kjo është pasuria ime!
Mira Kazhani: E mendon ndonjëherë të kthehesh të jetosh në Shqipëri? Është pyetja e fundit kjo!
Elsa Lila: Nuk e di! Nuk e di! Pse jo, boll që të jetë shtëpiza ime në natyrë me bimët e mia, me kafshët dhe…
Mira Kazhani: Dhe me ndonjë shok ndoshta, s`i dihet asnjëherë! Ndonjë dashuri? Që vjen vetë pa e kërkuar ti!
Mira Kazhani: Jemi të gjithë pak pesimistë!
Elsa Lila: Nuk e di! Jam pak pesimiste në këtë. (qesh)
Elsa Lila: Nuk besoj se ka ndonjë mashkull ndonjë aspiratë të rrijë me një femër që thotë kam dëshirë të mbyllem në fshat dhe të merrem me bimët dhe me kafshët.
Mira Kazhani: Faleminderit shumë që erdhe!
Elsa Lila: Shumë faleminderit Mira!
Mira Kazhani: E vlerësoj shumë!
Elsa Lila: Gjithashtu edhe unë! Përshëndetje dhe përqafime të gjithëve