Rrëfimi i violonçelistit Iljard Shaba që preku skenën e Sanremos
February 14, 2023Anna Oxa është njëra ndër këngëtaret më ikonike të ‘Sanremos’, e cila e ka fituar më parë këtë festival, ndërsa u rikthye këtë vit pas shumë viteve në konkurrim me një këngë të jashtëzakonshme, e cila u prit tejet mirë nga publiku.
Por ajo nuk ishte shqiptarja e vetme e cila u ngjit në Teatrin “Ariston” të Sanremos për të interpretuar, pasi krahas saj në natën e tretë u prezantua edhe violonçelisti i njohur shqiptar, Iljard Shaba.
Iljardi i cili ka një karrierë mjaft të gjatë në muzikës por pak dihet për të, foli në një intervistë për Telegrafin rreth eksperiencës së tij në edicionin e 73-të të festivalit ‘Sanremo’, duke e shquar si një ndër kujtimet më të bukura në karrierën e tij, të cilën do ta ruajë me ëndje.
Telegrafi: Iljard, ju jeni ngjitur në skenën e madhe të ‘Sanremos’ natën e tretë dhe keni performuar krah Anna Oxas. Na trego pak si ishte kjo eksperiencë për ty?
Iljard Shaba: Faleminderit ju për ftesën! Nata e tretë e ‘Sanremos’ përkrah Anna Oxas ishte një emocion i veçantë për arsyen e vetme që gjendesha në një festival të dashur për popullin italian dhe me një këngëtare të mirënjohur atje. Ishte kënaqësi dhe përgjegjësi e madhe. Jam i lumtur që meqë po merrja pjesë në atë Teatrin Ariston të ‘Sanremos’ të përfaqësoja denjësisht veten dhe vendin tim.
Telegrafi: Si re në kontaktin e Anna Oxas dhe si u ndjeve kur kuptove që jeni zgjedhur për të performuar me të?
Iljard Shaba: Me Anna Oxan rashë në kontakt nëpërmjet Ardit Gjebresë. Ai më njoftoi që kishte propozuar emrin tim për të bashkëpunuar me Annan dhe pastaj kontaktuam dhe folëm për performancën që do të kishim. Në fillim e prita me habi, por mbasi biseduam mu duk normale bashkëpunimi mes dy artistëve, por dhe u ndjeva i nderuar që menduan për mua dhe jo dikë tjetër.
Telegrafi: ‘Sanremo’ është një skenë që pak shqiptarë kanë pasur rastin ta prekin dhe ju jeni një ndër ta. Sa krenar ju bën fakt?
Iljard Shaba: E vërtetë që atë skenë e kanë prekur pak artistë shqiptarë dhe ishte kënaqësi që më propozuan mua. U ndjeva i nderuar, por dhe krenar për besimin që mu dha. Mendoj se e përfaqësova me dinjitet veten dhe Shqipërinë.
Telegrafi: Ju keni një eksperiencë të gjatë si violonçelist. Na trego pak si ka nisur dashuria për këtë instrument?
Iljard Shaba: Eh dashuria për violonçelin ka filluar që në moshë të re. Kur isha fëmije në moshën gjashtë vjeçare ishte e pandërgjegjshme dashuria fëmijërore për instrumentin se me dukej një lodër e madhe dhe nga ajo nxirrja muzike, por me rritjen time në moshe u rrit dhe dashuria për këtë instrument të mrekullueshëm që tani e kam pjesë të pandarë të jetës.
Telegrafi: Të pamë në një skenë të madhe dhe të kemi dëgjuar duke performuar në Shqipëri – por nuk dimë shumë për ty. Na trego pak cila është historia jote, kush është Iljardi?
Iljard Shaba: Historia ime është si çdo histori që përshkon një artist në rrugëtimin e tij. Unë siç thashë pak më lartë, në moshën gjashtë vjeçare fillova të studioj për muzikë në Liceun Artistik ‘Jordan Misja’ – aty mbarova shkollën fillore tetëvjeçare dhe të mesme. Kjo shkollë hodhi bazat e mia dhe më përgatiti për studimet e larta. Në lice kam studiuar me profesor Agim dhe Teuta Cegrani, ndërsa në Institutin e Larte të Arteve kam studiuar me profesor Gjer Antoniun. Unë kam mbaruar për muzikë klasike, por bashkë me studentë të tjerë filluam të luanim dhe muzikë konteporane ku në këtë zhanër u ndjeva më mirë dhe më bëri të vazhdoj deri këtu ku jam sot.
Telegrafi: Nga këngët e sivjetme të ‘Sanremos’. Cila ishte favoritja jote për të fituar?
Iljard Shaba: Mendoj se kënga më e pëlqyer për këtë vit në ‘Sanremo’ do jetë Marco Mengoni pasi u pëlqye që natën e parë dhe ka qenë në të gjitha netët në krye të klasifikimit.
Telegrafi: Cilat janë synimet e tua për të ardhmen.
Iljard Shaba: Synimi im është tregu evropian dhe ai amerikan sepse është një treg i madh për muzikën por kjo s’do të thotë se edhe tregu shqiptar s’është pjesë e rëndësishme, por është po aq e rëndësishme pasi është muzika e vendit tim janë rrënjët e mia.
Telegrafi: Thënia jote e jetës?
Iljard Shaba: Nuk kam ndonjë të caktuar, por çdo thënie që lidhet me jetën, dashurinë dhe muzikën më frymëzon.
Telegrafi: Iljard, faleminderit shumë që pranove ftesën për intervistë. Për fund, cili do të ishte mesazhi yt për shqiptarët?
Iljard Shaba: Mesazhi im për shqiptarët është që vetëm nëpërmjet punës së ndershme dhe përkushtimit të gjithsecilit në profesionin e tij, ne do ta bëjmë këtë vend më të bukur dhe të jetueshëm për brezat që vijnë. /Telegrafi/