Rrëmbimi i Jan Prengës, SPAK akuzon kopshtarin e resortit
April 30, 2021SPAK i mbylli hetimet për dy prej të dyshuarve për rrëmbimin e Jan Prengës. Ndërkohë u dorëzua në gjykatë dosja penale.
Bëhet fjalë për Festim Bexhdilin, kopshtar i resortit, si dhe Olsi Turjan, ndaj të cilëve rëndon akuza e “rrëmbimit të kryer në bashkëpunim”. Bexhdili është i vetmi që mbahet në paraburgim për rrëmbimin, torturimin dhe më pas vrasjen e 49-vjecarit Jan Prenga.
Olsi Turja është liruar me herët, por megjithatë ai do të merret si i pandehur bashkë me Bexhdilin, për t’u përballur me drejtësinë. Burime pranë SPAK thanë se për të dyshuarit e tjerë hetimet vijojnë.
Kujtojmë që Jan Prenga u rrëmbye në Kamzë nga 4 persona të cilët e futën në një makinë luksoze dhe e zhdukën pa gjurmë. Nga hetimet e deritanishme, rezulton se rrëmbimi i tij u urdhërua pas grabitjes së sasisë prej 260 kg kokainë nga vëllai i Janit, Astrit Prenga në Britaninë e Madhe. Porositës i krimit, dyshohet të jetë Gentian Docaj Fuqini nga Shkodra. Ai kontaktoi vëllezërit e pengut dhe iu kërkoi t’i kthehej malli, në këmbim të jetës së Janit. Edhe pse Astrit Prenga ktheu një pjesë të madhe të kokainës dhe pagoi një shumë të madhe, Jan Prenga nuk iu kthye familjes.
Kërkimet e policisë për gjetjen e trupit të Jan Prengës, i cili u rrëmbye në janar të 2020-ës në Kamzë, nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme. / revista.one/