Sherri për parkimin, Fero e pranon se kishte një elektroshok, të tjerët deklarohen të pafajshëm

Sherri për parkimin, Fero e pranon se kishte një elektroshok, të tjerët deklarohen të pafajshëm

September 8, 2021 0

Feronit Shabani, i njohur me emrin artistik Fero, u dënua me 1 mijë euro gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Ai është deklaruar fajtor për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Shabani obligohet që të paguajë edhe paushallin gjyqësor në shumën 50 euro, si dhe 50 euro tjera për fondin e viktimave të krimit.

Të njëjtit gjithashtu i konfiskohet arma e llojit elektroshok.

Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Armend Hamiti, i akuzuari Shabani e pranoi fajësinë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkaq, të pafajshëm u deklaruan i akuzuari Avdullah Islami për veprën penale të kanosjes me përdorim të mjetit të rrezikshëm, si dhe i akuzuari Mehmet Elshani për veprën penale të sulmit, 

Aktakuza

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se Mehmet Elshani, më 22 mars 2018, rreth orës 13:15, pikërisht në rrugën “Iliaz Kodra” në Prishtinë, me dashje ka përdorur forcën ndaj të dëmtuarit Lorent Bajrami, pa pëlqimin e tij. Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje të atëçastshme që kishte ndodhur në mes tyre, ndërsa i dëmtuari po kërkonte vendparkim për veturën e tij, të dy fillimisht kishin debatuar me fjalë pastaj i pandehuri del nga vetura e tij dhe duke përdorur forcën fizike ndaj tij e ka kapur për gjoksi të dëmtuarin.

Me këtë, Elshani akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 187, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se në kohën edhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë, deri sa i pandehuri Elshani ka qenë duke e sulmuar të dëmtuarin Lorent Bajrami, i pandehuri Avdullah Islami i kishte drejtuar në kokë një mjet të metaltë të rrezikshëm, me të cilën seriozisht e kishte kanosur të dëmtuarin Bajrami, duke i thënë që të largohej nga aty, me qëllim të frikësimit të tij, duke i shkaktuar të njëjtit frikë dhe ankth.

Me këtë, Islami akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” me përdorim të mjetit të rrezikshëm, nga neni 185, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në dispozitivin e tretë të kësaj aktakuzë thuhet se në kohën dhe vendin e njëjtë të cekur si më lartë, i pandehuri Feronit Shabani ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim një Elektroshok me bateri të firmës TW-801TYPE, në shkelje të ligjit të zbatueshëm lidhur me armët e tilla.

Me këtë, Shabani akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.

revista.one/