Si u bind djali të takojë Parashqevinë/ Roberti: Gjatë divorcit, ajo mori një pozicion ekstrem, nuk pranonte propozimet e gjykatës

Si u bind djali të takojë Parashqevinë/ Roberti: Gjatë divorcit, ajo mori një pozicion ekstrem, nuk pranonte propozimet e gjykatës

December 19, 2024 0

Ish-bashkëshorti i Parashqevi Simakut, Robert Nolfe, i ka dërguar një letër Elton Ilirjanit, pas kontaktit mes tyre që bëri të mundur edhe bisedën e këngëtares me të birin.

Robert Nolfe: Ne ishim dy artistë që po përpiqeshim të mbanim marrëdhënien tonë por në një pikë të martesës, pas disa vitesh që përpiqeshim, nuk po funksiononte dhe vendosëm të ndaheshim siç ndodh edhe sot zakonisht.

Parashqevia u trishtua pas vdekjes së papritur të të atit dhe besoj se kjo e preku tej mase. Dëshiroj të shmang shumë detaje dhe kërkoj që të gjithë të jenë mirëkuptues në një çështje familjare ku ka dhe fëmijë. Por gjatë procesit të ndarjes ajo vetëm mori një pozicion ekstrem dhe nuk pranonte asnjë propozim të bërë nga gjykatësi. Në media janë thënë shumë gjëra të cilat nuk janë të vërteta, dhe në fakt asaj i është dhënë mundësia për vizita por janë refuzuar.

Gjatë gjithë kohës, vëmendja ime ishte mirëqenia e djalit tim, dhe mora mjaft këshilla nga të caktuarit e gjykatës. Në atë kohë kam qenë në kontakt me familjen e saj në Shqipëri duke i informuar për situatën, por e di që ishte njësoj e vështirë për të gjithë. Pas divorcit, ashtu si shumë të tjerë ne humbëm lidhjet me Parashqevinë. Do të thosha se nuk është e lehtë për një burrë t’i jepet kujdestaria, dhe unë nuk u nisa për këtë fillimisht, por në fund kjo është ajo që ndodhi. Kjo me vendosi në një sfidë personale si një baba i vetëm që punonte për një farë periudhe.

Ishte emocionuese të shihje buzëqeshjen e saj në videot e tua, Elton, dhe unë besoj se ka një dritare ku të lëmë pas të gjitha këto dhe të shohim përpara. Biri ynë nuk është më fëmijë, por një djalë i ri i mirë që merr vendimet e veta. Jam i lumtur të të them se ai pranoi të flas me të dhe dhe po kujdesemi që ai të rilidhet me të me shpresën se do të jetë më e mira për të gjithë.

Atyre që më kanë dërguar mesazhe kërcënuese mua dhe familjes sime i bëj thirrje të fokusojnë energjitë në pasion dhe vlerësim, nëse zgjedhin të shprehen me dritë pozitive për këtë thesar kombëtar të gjetur së fundmi.

Dëshiroj personalisht të të them faleminderit Elton që e bëre të mundur gjithë këtë.

Sipas tij, i vetmi rast kur djali ra dakord ta takonte nënën e tij ishte sot, pas ndërmjetësimit të Elton Ilirjanit.

“Ne kemi pyetur nëse donte ta takonte dhe ai ka thënë jo deri dje. Sot e pyeta nëse ishte i gatshëm dhe ai tha po. Unë i kam dhënë një deklaratë me shkrim Eltonin, dua vetëm që familja të ribashkohet dhe ajo të jetë thesari i humbur që është rigjetur. Fundi është i bukur dhe kjo histori do të mbarojë e bukur”, tha Nolfe.

Ilirjani thotë se këngëtarja ka vlerësim për Robertin, ish bashkëshortin e saj, por shtoi se përgjegjës për çfarë i ka ndodhur, bën disa njerëz në Tiranë.

“Më ka thënë 3 të vërteta: ajo më ka thënë që Roberti nuk i ka bërë keq. Po ta pyesësh sot, do thotë fjalët më të mira për Robertin, nuk e thotë që ai më ka ndarë nga djali. Thotë “mbaroi dhe kaq”. E kam pyetur pse nuk je me Robertin? Më tha më kanë shkatërruar jetën. Mendoj se Parashqevia është viktimë e xhelozisë së një ikone të madhe siç ishte ajo. Si ka mundësi që nuk funksionoi martesa e tyre? Nuk mendoj se mund të fajësojmë Robertin. Parashqevia më tha dje “Luka do më përgjigjet nesër nëse ti e merr në telefon”. Unë e di që Roberti mua më do, e di që Robertin e godasin. Ka njerëz në Tiranë që dua të jem vetëm. Roberti nuk e ka ndalur të birin, ndoshta nuk i ka thënë shko, por nuk e ka ndalur. Parashqevia më ka thënë troç “dëgjoni Parashqevinë para se të thoni se Roberti është i keq”. Çfarë faji ka Roberti apo gruaja e tij e re? Çfarë faji ka Luka kur nuk i është thënë asgjë për nënën e tij?”, tha Ilirjani.

“Më ka thënë që shqiptarë më kanë shkatërruar jetën, dy tre emra që janë në Tiranë. Janë përpjekur që ajo të dështojë si në Nju Jork dhe Hollivud. Unë e besoj Parashqevinë. Më tha “nuk do iki” dhe nuk do iki. Kishin thënë që nuk do familjarët, ajo nisi të qante kur filloi të flasë. Të gjithë e kishin bërë që ishte e droguar, ajo nuk ishte e droguar”.

revista.one/