Skandal me hetimin e vrasjes së Martinit, shoku i plagosur tregon autorin e dytë, që policia e la të lirë
November 24, 2024Grupi hetimor i ka marrë dëshmi 14-vjeçarit të plagosur që ndodhet në spitalin e Traumës. Dëshmia është marrë ditën e shtunë në praninë e psikologes dhe familjarëve.
I plagosuri, shok i viktimës ka deklaruar se është goditur me thikë ai dhe shoku i tij nga dy bashkëmoshatarë, përveç autorit të arrestuar edhe nga një person tjetër shok i autorit, me iniciale G.B. Sipas të plagosurit autori ka pasur thikë më të madhe, ndërsa personi tjetër thikë më të vogël dhe të dy i kanë qëlluar. Të njëjtën dëshmi ka dhënë edhe babai i të plagosurit këtë të dielë pasi është pyetur sërish nga policia pas deklaratave të tij në media.
Kjo ka bërë që grupi hetimor të vijojë sekuestrimin dhe kqyrjen e kamerave të sigurisë në të gjithë zonën nga e para. Tashmë po hetohet edhe pista që mund të kenë qëlluar dy persona. Nga kqyrja e parë e kamerave është konfirmuar se autori i arrestuar dhe dy bashkëmoshatarë të tjerë largohen me vrap nga vendi i ngjarjes deri te ish ATSH aty ku u gjet edhe çanta dhe një thikë. Deri aty kanë ikur në këmbë të tre minorenët ku më pas dyshohet se një person i ka marrë me makinë.
Hetuesit janë rikthyer sërish aty për të sekuestruar kamerat. Po ashtu thika që u gjet nga policia nuk është e njëjtë me atë që ka publikuar autori i arrestuar në rrjete sociale. Ky fakt ka ngritur dyshimet te policia se mund të kenë qënë dy autorë të cilët dyshohet se kanë qëlluar me dy thika të ndryshme. Edhe telefonat celularë të autorit të arrestuar dhe dy shokëve të tij ende nuk janë gjetur nga policia.
Dëshmitë e reja dhe dyshimet nga hetuesit i ka dhënë një tjetër rrjedhë hetimeve të policisë, në lidhje me ngjarjen e rëndë në shkollën ‘Fan Noli’ në Tiranë, tashmë e gjithë çështja do të nisë nga fillimi. Do të rikqyren të gjitha pamjet e kamerave të sigurisë, si dhe do të rimerren në pyetje i gjithë stafi i shkollës Fan Noli, të gjithë dëshmitarët e përfshirë që kanë qenë në ngjarje por dhe minorenët e përfshirë në konflikt.
Skandalin e hetimeve e denoncoi dje i ati i të plagosurit.
“Dua ta denoncoj para medias suaj, personi i dytë me thikën më të vogël që ka goditur Luisin pas shpine, është K. B..
Kërkoj arrestim të shpejtë, sepse kam marrë vesh se ka marrë prindërit dhe do të largohet nga Shqipëria, ose është larguar. Kjo është deklaratë zyrtare nga policia. K. B. është lënë i lirë, por ai duhet të nxjerrë armën e krimit dhe të shkojë të dorëzohet vetë. Nëse nuk merren masa do të marrim ne në mënyrë private, siç e zgjidhën ata me fëmijët tanë”, tha babai i të plagosurit.
Ai ka rrëfyer se autori i dytë Kledjon B., shoku i ngushtë i 14-vjeçarit të arresuar M. Përlleshaj, po tenton të largohet nga vendi së bashku me prindërit e tij dhe kërkoi nga policia që të arrestohet.
Fiqiri Meçe: Luisi është në një fazë rikuperimi, ndodhet në intubim. Është goditur nga dy persona, janë dy vrarës, jo 1 autor vrasës.
Personi i dytë me thikën më të vogël që ka goditur Luisin me thikën mbas shpine është Kledjon B. Kërkoj arrestimin e tij sa më shpejt sepse kam marrë vesh që personi i dytë do që të largohet, ka marrë prindërit dhe do të largohet, ose është larguar. Personi Klejdi B. është lënë i lirë, por ai duhet të nxjerrë armën e krimit ta dorëzojë dhe të shkojë të dorëzohet në polici. Nëse shteti nuk merr masa, do të marrim ne në mënyrë private. Siç e kanë zgjidhur ata me fëmijët tanë, që kanë hyrë në mes për të ndarë sherrin dhe ato kanë shkuar e kanë goditur.
Luisi ka dëshmuar dhe e njeh djalin, ka goditje edhe në sy. Emri i djalit të dytë nuk ka qarkulluar në media dhe ka pasur thikën më të vogël se ajo që është publikuar në internet, e ka goditur djalin time nga mbrapa. Plaga në shpinë është më e hollë dhe më e thellë.
Martinin kam 8 vite që e marr me makinë e çoja me djalin tim në stërvitje. I njoh personalisht se i kam komshinj, i gjithë sherri që është bërë në shkollën kur Martini studionte ka ardhur për shkak të vëllait. Personi që e ka goditur me thikë e ka ofenduar nga vëllai dhe Martini është ndjerë keq dhe ka reaguar. Ky ëshë gjithë sherri, s’ka ndodhur as për TikTok, e as për vajzë, e as për SnapChat. Në momentin që kanë ardhur djemtë i kanë pyetur “Ku ka lule këtu?” Një shprehje që ne përdorim për një person kur e dërgojmë në varreza.
Po kthesha nga puna në Elbasan dhe më thanë në telefon “Martini vdiq”, ishte shumë shokuese, jo vetëm për mua, por për këdo. Isha aq i lidhur me fëmijët, kam bërë një britmë aq të madhe dhe mendja më shkoi tek miku im i dashur, që sot pret ngushëllime tek shtëpia dhe djali i vogël që është në parajsë, u ndjeva keq. Ndjej keqardhje për atë djalë, por s’di si të ngushëlloj të atin. Kur isha për vizitë për t’i qëndruar afër më tha “Nuk kam lot më, nuk qaj dot më”.
revista.one/