“Squid Game” nuk duhet parë nga fëmijët, shkollat nëpër botë po paralajmërojnë prindërit

“Squid Game” nuk duhet parë nga fëmijët, shkollat nëpër botë po paralajmërojnë prindërit

October 10, 2021 0

Seriali më i famshëm i Netflix për momentin, “Squid Game”, nuk është një serial për fëmijë, edhe pse komploti i tij përfshin një turne vdekjeprurës të lojërave për fëmijë. Shkollat nëpër botë po paralajmërojnë prindërit që të tregohen të kujdesshëm sepse fëmijët po imitojnë shfaqjen.

Një shkollë në Belgjikë raportoi se fëmijët po imitojnë shfaqjen dhe rrahin fëmijët që humbasin lojërat. Nxënësit në shkollën Beguinage Hainaut të komunës Erquelinnes kanë luajtur lojën “Red Light, Green Light”, e njohur në Belgjikë si 1, 2, 3 Piano.

“Ne duhet të qëndrojmë vigjilentë në mënyrë që kjo lojë e pashëndetshme dhe e rrezikshme të ndalet”, tha një përfaqësues i shkollës në faqen në Facebook këtë javë, raporton Brussels Time. Postimi vuri në dukje se fëmijët mund ta luajnë lojën, por nuk mund të dëmtojnë fizikisht ata që humbin.

Në serial, Red Light, Green Light (Dritë e kuqe, dritë jeshile) është loja e parë që garuesit luajnë. Ata shpresojnë të fitojnë para, por së shpejti zbulojnë se nëse lëvizin pasi një kukull gjigante robote thërret, “Dritë e Kuqe!” ata qëllohen për vdekje. Ata që kalojnë me sukses vijën e finishit lejohen të vazhdojnë në turne.

Ndonëse shfaqja nuk është e përshtatshme për fëmijët dhe paraqet vdekje të shumta të përgjakshme, ka tërhequr interesin e shumë njerëzve. Ka meme të shumta që përfshijnë lojën, po shiten kostume Hallowween-i me veshje jeshile, rojet me të kuqe dhe personazhe të tjerë.

Paralajmërime të tilla janë bërë edhe nga shkolla të tjera nëpër botë. Shkolla në Ilford dhe Kent në Angli kanë paralajmëruar prindërit që të tregohen të kujdesshëm.

Seriali nuk është kurrsesi për fëmijë, pasi përfshin skena me vrasje brutale, ka vetëvrasje, seks dhe sharje dhe është i përshtatshëm për një audiencë mbi 15 vjeç.

Seriali i Koresë së Jugut, i cili aktualisht është seriali më i shikuar në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar, përqendrohet në një shfaqje të lojërave imagjinare, në të cilën personazhet e varfër konkurrojnë në një seri lojërash me pasoja vdekjen, për të fituar një çmim prej 27 milionë paund (31.7 milionë euro).

Drama e mbijetesës, e cila përmban skena tmerruese të personazheve që goditen në kokë si dhe trafikimin e organeve, i shfaq garuesit duke marrë pjesë në versionet e lojërave tradicionale të fëmijëve, me fituesit që përparojnë në fazën tjetër.

Ata që dështojnë të kualifikohen në lojën e ardhshme ekzekutohen nga një skuadër e maskuar që iu qëndrojnë pranë me mitralozë.

Shfaqja e diskutueshme tani ka ndikuar që shkollat t’iu kërkojnë prindërve të monitorojnë atë që fëmijët e tyre po shikojnë mes frikës së imitimit të personazheve të serialit.

“Sandown School” në Deal, Kent, tha se mësuesit u kishin dhënë nxënësve të tyre mësime shtesë mbi sigurinë në internet dhe rreziqet e shikimit të përmbajtjes që ‘nuk është e përshtatshme për moshën’ si përgjigje ndaj popullaritetit të serialit.

Një zëdhënëse e shkollës tha: “Ne jemi gjithmonë duke azhurnuar këshillat tona për prindërit dhe fëmijët, është diçka që ne po e përditësojmë vazhdimisht”.

“Si përgjigje ndaj këtij programi dhe të tjerëve ne kemi dhënë mësime shtesë për dhunën dhe dëmet në internet”.

Goodwin Academy, një shkollë tjetër në Deal, konfirmoi se ekipi i saj mbrojtës u kishte dërguar një letër prindërve në lidhje me shqetësimet rreth serialit.

Një prind që jeton në Deal shkroi në rrjetet sociale:
“Ne kemi marrë dy letra shkollore (fillore/të mesme) që paralajmërojnë prindërit rreth përmbajtjes së serialit ‘Squid Game’”.

revista.one/