Tension në BBVK, Alba akuzon produksionin për montazh: Dal nga shtëpia, nëse vazhdoni kështu

Tension në BBVK, Alba akuzon produksionin për montazh: Dal nga shtëpia, nëse vazhdoni kështu

November 22, 2025 0

Spektakli i së premtes në Big Brother VIP Kosova solli një nga debatet më të tensionuara të këtij edicioni, teksa moderatorit Alaudin Hamiti iu desh të përballej drejtpërdrejt me banoren Alba Pollozhani pas transmetimit të një klipi shumë të komentuar.

Gjatë “prime”-it u shfaq pamja e një përmbledhjeje që tregonte sjelljen e banoreve Alba dhe Benita ndaj banores më të re të shtëpisë, Elijona Binakaj, ku nga audienca u perceptua si bullizim i vazhdueshëm gjatë gjithë javës.

Menjëherë pas transmetimit të klipit, Alba reagoi në mënyrë të ashpër dhe të pakontrolluar, duke e cilësuar videon si të montuar qëllimisht për ta nxjerrë atë në dritë negative.

Ajo u ngrit në këmbë dhe nisi të debatonte me tone të larta me modetatorin Hamiti, duke thënë se produksioni po manipulonte imazhin e saj:

“E keni montuar klipin në të keqen time, po ma denigroni imazhin!” – ishte reagimi i saj i parë.

Alaudini i kërkoi asaj qetësi dhe i shpjegoi se klipi përmbante vetëm situatat e ndodhura brenda javës, pa ndërhyrje tendencioze, por Alba vazhdoi të insistonte se pamjet kishin për qëllim ta paraqisnin si bullizuese.

Ky moment shkaktoi tension si në studio, ashtu edhe brenda shtëpisë, ndërsa banorët e tjerë u panë të hutuar nga intensiteti i debatit. 

“Sistem i fëlliqur!”, u dëgjua të thoshte ajo, teksa largohej nga zona e diskutimit.

Ende nuk dihet nëse Alba do të qëndrojë në program apo nëse do të marrë një vendim final për t’u larguar. Ngjarja ka ndezur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe pritet që produksioni të japë një sqarim gjatë orëve në vijim. 

Menjëherë pas përplasjes me moderatorin Alaudin Hamiti, Alba është larguar nga pjesa kryesore e shtëpisë dhe ka shkuar e vetme në dhomën e gjumit, ku është parë duke qarë. Ajo ka refuzuar të komunikojë me banorët e tjerë, ndërsa pjesa tjetër e shtëpisë ka mbetur e shqetësuar për gjendjen e saj.

Edhe moderatori i programit, Alaudin Hamiti, është prekur deri në lot gjatë fjalimit të tij drejtuar banores Benita.

Teksa i drejtohej asaj për mënyrën se si vajzat brenda shtëpisë po komunikojnë dhe përplasjet e tyre të shpeshta, Alaudini theksoi se situata është veçanërisht e ndjeshme në një kohë kur dhuna ndaj grave vazhdon të jetë një realitet i rëndë në shoqërinë tonë.

Moderatori u emocionua teksa foli për raste tragjike të grave që dhunohen apo humbin jetën nga partnerët apo njerëz të afërt, duke i kujtuar banoreve se mes tyre nuk duhet të ketë sulme, fyerje apo përbuzje.

“Është e padrejtë, në një kohë kur gratë sot vriten — vriten nga burrat. Vriten edhe mes vete tash. Nuk është e hijshme, nuk është aspak e hijshme që të sulmoni njëra-tjetrën. Nuk kalon muaj pa u dëgjuar për një grua apo vajzë që torturohet, dhunohet, apo vritet nga një burrë, nga një i afërt, apo nga dikush tjetër”, tha Alaudini.

revista.one/