Tentoi t’i ikë policisë dhe terrorizoi Tiranën, Imer Krrashi pjesë e grupit të Niklës
October 5, 2025Zbardhen detaje të reja nga ndjekja spektakolare që tronditi Tiranën mesditën e sotme. Personi që vuri në alarm policinë dhe qytetarët është identifikuar si Imer Krrashi, 31 vjeç, me origjinë nga Kruja, pjesë e grupit kriminal të Marklen Hakës, të njohur si “i forti i Niklës”.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja Klodiana Lala, Krrashi rezulton të ketë përdorur tre identitete të ndryshme: Imer Krrashi, Imer Masha dhe Imer Uka, të gjitha me lidhje në zonën e Krujës.
Gjithçka nisi rreth orës 12:30, në zonën e Liqenit të Thatë, kur forcat “Shqiponja” i bënë shenjë ndalimi automjetit që ai drejtonte. Dyshohej se 31-vjeçari lëvizte i armatosur, por në momentin që efektivët i komunikuan urdhrin për kontroll, ai refuzoi të ndalonte dhe u largua me shpejtësi, duke nisur një ndjekje të rrezikshme në rrugët e kryeqytetit.
Në përpjekje për t’i shpëtuar policisë, Krrashi përplasi 9 automjete dhe një motor, duke lënë të plagosur një efektiv policie jashtë shërbimit dhe bashkëshorten e tij, të cilët ndodhen në spital, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Pas neutralizimit dhe arrestimit të tij, policia gjeti në automjet një armë zjarri pistoletë, ndërsa po heton nëse 31-vjeçari kishte planifikuar ndonjë ngjarje kriminale më të rëndë. Burime nga policia e përshkruajnë atë si një individ me precedent të shumtë penal dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Kujtojmë se lidhja e tij me Marklen Hakën nuk është e rastësishme. Haka, një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, u arrestua në Dubai në korrik 2024, në kuadër të dosjes “Revanshi” të SPAK, ku akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Ndërsa Haka ndodhet në duart e drejtësisë, duket se “ushtarët” e tij ende lëvizin në terren dhe ndjekja e sotme tregon se rrjeti i Niklës vijon të mbetet aktiv dhe sfidues ndaj rendit.
revista.one/