Tinka Kurti: Pse më zgjodhën mua për të luajtur filmi e parë shqiptar “Tana”
July 25, 2022Shfaqet premiera e filmit të parë shqiptar me metrazh të gjatë “Tana” i restauruar. I xhiruar më 1957 me regji të Kristaq Dhamos, roli kryesor, ai i Tanës, interpretohet nga Tinka Kurti, e cila e kujton kështu 60 vjet më vonë njohjen me regjisorin Dhamo.
“Puna e filmit është rastësi. Unë isha ulur në një tavolinë me një koleg dhe shoh disa veta që e rrethonin Kristaq Dhamon. Ju them, kush është ai, Shuberti? Më thonë është një artist që ka mbaruar studimet në Budapest. Kristaqi erdhi te unë dhe më tha me ty do xhiroj filmin e parë shqiptar dhe e mbajti fjalën. Po kanë qenë shumë tramvaje. Më e mira nuk isha sepse kishte femra të bukura shumë, që kishte mundësi t’i merrte se në film kishte aktor të mëdhenj si Naim Frashëri, Kadri Roshi”, thotë aktorja.
Gjithaq, ajo kujton edhe rinisë e saj.
“Tanën e kam luajtur pa e ditur mirë se çfarë po bëj. Isha vajzë e re, mbase edhe jo aq e re se e kisha një fëmijë. Por shkova atje dhe ishte një arë e madhe. E korra arën dhe më pas, më vunë në gomar dhe luajta rolin”, thotë Tinka Kurti.
Përtej historisë së dashurisë që pengohet nga xhelozia dhe mentaliteti apo lojës aktoriale, filmi ka konotacionin e fortë të kohës me jetën e kooperativës e rolin e partisë që vijnë të idealizuara. Tinka vjen në rolin e një vajze magjepsëse dhe të emancipuar që sfidon realitetin. Përtej propaganda, arkivi i sheh si trashëgimi.
“Puna jone themelore si arkiv është të ruajmë trashëgiminë kulturore dhe pas 64 vitesh filmi merr formën e tij më të mirë të mundshme, që është restaurimi”, tha Marinela Ndria, Drejtore e AQSHF.
Figura e Tanës në film tashmë mund të shihet nga ballina e arkivit. Procesi i restaurimit u mundësua nga bashkëpunimi mes AQSHF, Cinegrell Zvicër dhe PostFactory Gjermani. Regjisori Dhamo që gjendet në spital ka kërkuar që filmi të shfaqet në Korçë ku është xhiruar. /News 24/