Urdhër mbrojtje për Princ Lekën nga babai i Elia Zaharisë, ja vendimi i gjykatës
March 21, 2024Në Gjykatën Civile u mbajt sot një seancë për dhunën në Pallatin Mbretëror.
Gjykata ka vendosur që Princ Leka të pajiset me urdhër-mbrojtje për 1 vit ndaj ish-vjehrrit të tij, Gjergj Zaharia, ndërsa për Princin dhe Elian seanca u shty për në 27 mars.
Seanca për Elian është shtyrë pasi mësohet se avokati i saj nuk paraqiti akt-eksperimentin për dhunë, ashtu siç bëri Princ Leka.
Kujtojmë se më 6 Mars, në media u bë publik lajmi se Princ Leka kishte denoncuar për dhunë Elia Zaharinë dhe babain e saj Gjergj Zaharia, për dhunë. Po ashtu, edhe Elia Zaharia e kishte denoncuar Princ Lekën për të njëjtën vepër penale. Ne dëshminë e tij në Polici Princ Leka ka deklaruar se babai i Elias, Gjergj Zaharia, e ka goditur me shkelma, madje i ka grisur dhe xhupin.
Ndërsa ka shtuar se gjatë konfliktit, Gjergj Zaharia ka marrë një statujë prej druri dhe e ka goditur. Nga videoja shikohet që Elia Zaharia e ndjek Princ Lekën nëpër ambientet e shtëpisë, duke i kërkuar llogari pse ky i fundit goditi babain e saj 70-vjeçar. Ndërkohë që ai dëgjohet teksa thotë nuk preka gjë me dorë dhe tenton të ikë, por me njërën dorë mban celularin, duke filmuar ish-bashkëshorten e tij.
Nga ana tjetër, Elia Zaharia pretendoi se Princ Leka ishte i dhunshëm, e kapi nga duart dhe tentoi ta godiste. Aktorja është shprehur se ajo dhe i ati, Gjergj Zaharia, vetëm janë mbrojtur.
“I ke gjuajtur babit tim, të preksh ti me dorë babin tim. Do të të çoj në gjyq. Ti ke falsifikuar. I ke thënë shtetit shqiptar që ke shkollë, por në të vërtetë nuk ke. Ke vetëm 4 klasë shkollë”, dëgjohet Elia Zaharia në video.
revista.one/