“Vaksinohuni! Komiteti i Ekspertëve nuk ndryshon masat në fuqi

“Vaksinohuni! Komiteti i Ekspertëve nuk ndryshon masat në fuqi

August 25, 2021 0

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të mos ndryshojë masat kundër koronavirusit. Në një konferencë për media, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, deklaroi se do të vijojnë të mbeten në fuqi masat që janë, ndërsa iu bëri thirrje qytetarëve që t’i zbatojnë.

Sipas numrit dy të MSH, nëse këto masa zbatohen dhe nëse vijon vaksinimi me ritme të larta, situata me virusin do të mbahet nën kontroll dhe do të parandalohet një valë tjetër infeksioni.

“Numri i të infektuarve është ndjeshëm i shtuar dhe shkaku është prania e variantit Delta. Numri i të infektuarve të pavaksinuarve është 32 herë më i lartë se i të vaksinuarve. Ata që janë me forma të rënda të shtruara në spitale shumica janë të pavaksinuar. Në krahasim me vitin e kaluar, numri i të shtruarve në spitale është ndjeshëm më i ulët. Një vit më parë kemi pasur të mbushur plot Covid-1 dhe mbi gjysmën e kapacitet të mbushur te Covid-2. Problem është zbatimi i masave, që kemi në fuqi. Situata mund të kontrollohet, duke mbajtur të njëjtin nivel masash, por duke i zbatuar.

Masat që janë në fuqi:
Detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura dhe ku ka grumbullime njerëzish, sidomos në aeroporte.

Grumbullimet në ambientet e jashtme do vazhdojnë të jenë të lejuara deri në 50 persona.
Ora policore do vazhdojë të mbetet në fuqi 00:00-06:00 dhe muzika deri në 23:00. Vijojnë të lejohen aktivitetet sportive, teatro, me kapacitete të reduktuara deri në 30%.
Ne mendojmë se nëse këto protokolle zbatohen me rigorozitet dhe nëse vazhdojmë të vaksinohemi, situata mbahet nën kontroll. Vaksinimi dhe zbatimi i masave janë të vetmet mënyra që ne mundet të kontrollojmë infeksionin dhe të mos përballemi me valë të tjera”, tha zv.ministrja Rakacolli.

Gjithashtu, edhe drejtoresha e ISHP, Albana Ficos,deklaroi se “masat nuk kanë ndryshuar, por duhen zbatuar ato që janë, si përdorimi i maskës, mbajtja e distancës dhe higjiena”.

“Mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 raste, nga 291 që ishin një javë më parë. Numri total i rasteve aktive në vend është rritur nga 5573 në 5792, që çon në rritje të incidencës dyjavore me rreth 5 herë nga dy javët e shkuara.

Sa i përket pozitivitetit të mostrës, mbetet në shifrën 7.8%. Raporti i infeksionit mes femrave dhe meshkujve mbetet 52 me 48. Raporti i fataliteteve është 1.8%. Grupmoshat 35-64 vjeç kanë një rritje në numër të konsiderueshëm të rasteve të reja. Saranda, Himara, Malësia e Madhe, Shkodra, Tirana dhe Vlora janë bashkitë me incidencën më të lartë”, tha Fico.

Shkak për rritjen e infektimeve është bërë qarkullimi masiv i variantit Delta në vend, që është një variant shumë herë më i transmetueshëm se variantet e tjera të virusit Covid-19.

revista.one/