Vdes turistja 25 vjeçe, u rrëzua nga anija në Vlorë
September 3, 2021Ka ndërruar jetë në spital turistja 25 vjeçare e cila ru rrëzua aksidentalisht në det teksa ishte duke zbritur nga një anije e ankoruar pranë portit të Vlorës.
Policia ka vënë në pranga 47 vjeçarin Aleksandër Golemaj, i cili ishte i punësuar në anijen nga e cila ra turistja. Ai akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Dyshohet se vajza ishte në gjendje të dehur. Sipas policisë, Golemaj, i punësuar në anijen turistike nuk duhet të kishte lejuar prezencën e shtetases pasi anija ishte e ankoruar dhe nuk ishte funksionale në atë orar.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” të shtetasit A. G., 47 vjeç, banues në Vlorë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, mengjesin e sotëm, nga anija turistike ku ishte i punësuar, dyshohet se është rrëzuar një shtetase ende e paidentifikuar, rreth 25 vjeçe, e cila për pasojë ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës. Vijon puna për identifikimin e saj.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshem”, njofton policia.
revista.one/