(VIDEO) Berberët shqiptarë në Angli presin flokët në shenjë solidariteti me gruan me kancer
September 1, 2021Një paciente me kancer që i është nënshtruar një kimioterapie është emocionuar nga një gjest shumë i veçantë nga dy berber me origjinë shqiptare. Caroline Ross vuri re se flokët filluan t’i binin pas kimiterapisë dhe vendosi që t’i qethte plotësisht.
58-vjeçarja, që po trajtohet për kancerin e zorrëve për herë të dytë në 4 vite, nuk pyeti përse pronari i sallonit, Andi Bica, donte ta filmonte punën e tij, por më pas u emocionua kur e kuptoi se çfarë po ndodhte.
Bica së bashku me kushëririn e tij, Kledian Peci, qethën flokët për t’u solidarizuar me Caroline. Në një video, berberi shqiptar shihet duke i prerë flokët gruas së sëmurë me gërshërë dhe më pas ndalon e i thotë se “nuk do e lëmë vetëm”, prandaj ai dhe kushëriri i tij bëhen tullac për ta përkrahur.
Caroline shfaqet në video e befasuar teksa kushërinjtë fillojnë e presin flokët pas saj. Në fund Bica i jep asaj një përqafim dhe një puthje në kokë për t’i treguar se çdo gjë do të shkojë mirë për të.
Caroline Ross i ka cilësuar dy djemtë shqiptarë si heronjë dhe që i kanë dhënë më shumë besim tek vetja për të ecur përpara me krenari. Ajo ka publikuar videon në Instagram dhe TikTok, ku është parë nga më shumë se gjysmë milioni njerëz. Të gjithë ndjekësit kanë përgëzuar berberin shqiptar për këtë gjest kaq fisnik.
Andi Bica që është larguar nga Shqipëria 11 vite më parë, është shprehur: “Kur e dëgjova pse ajo ishte këtu mendova për këtë ide në moment. Nuk doja që ajo ta kuptonte, kështu që fola me kushëririn në gjuhën time dhe ai ishte shumë i lumtur, kështu që e vendosëm menjëherë. Ishte shumë bukur të shihnim se ajo u surprizua shumë“. revista.one/