(VIDEO) Bono në stacionin e metrosë në Kyiv: Ukraina po lufton për të gjithë ne
May 8, 2022Frontmeni Bono dhe kitaristi The Edge nga rok grupi irlandez, “U2”, i kanë lavdëruar ukrainasit për luftën për lirinë e tyre, gjatë një koncerti 40 minutësh të paparalajmëruar në një stacion metroje në Kiev gjatë ditës së sotme (e diel, 8 maj).
“Populli i Ukrainës nuk po lufton vetëm për lirinë e vet, ju po luftoni për të gjithë ne që e duam lirinë”, është shprehur këngëtari para një turme të vogël të mbledhur brenda stacionit të metrosë, transmetojnë mediat ukrainase dhe irlandeze.
Ai njëherësh i thuri lavde presidentit Volodymyr Zelensky duke thënë se “aktualisht ai po e udhëheq botën në kauzën e lirisë.
Derisa interpretuan hitet e mëdha të grupit, ata performuan edhe këngë të popullarizuara klasike, si “Stand By Me” duke e ndryshuar tekstin “qëndroni pranë Ukrainës”.
Presidenti ukrainas e kishte ftuar “U2” të performonte në Kiev për të treguar solidaritetin me popullin ukrainas.
Bono vazhdimisht i ndryshonte tekstet e këngëve për t’iu përshtatur luftës për liri që bëjnë ukrainasit ndaj Rusisë.
“Këtë mbrëmje, 8 maj, të shtënat do të kumbojnë në qiellin e Ukrainës, por në fund ju do të jeni të lirë. Ata mund t’jua marrin jetën, por kurrë nuk mund ta marrin krenarinë tuaj”, ka thënë frontmeni gjatë interpretimit të këngës “Pride (In The Name Of Love)”.
Kënga iu referohet konflikteve të të kaluarës në Irlandë dhe dekadave të konfliktit në Britaninë e Madhe lidhur me Irlandën e Veriut.
“Lutemi që shumë shpejtë ta shijoni paqen”, shtoi 61-vjeçari Bono. revista.one/