(Video)Kupa, 1000 tifozë të Vllaznisë në stadiumin Air Albania
May 31, 2021Nëse titulli i shpëtoi për golavarash, Kupa nuk mund t’i ikte nga duart Vllaznisë. Në finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë që riktheu zyrtarisht edhe tifozët ndonëse 1000 persona në stadium, kuqeblutë arritën të fitonin 1-0 ndaj Skënderbeut në “Air Albania”.
Në një ndeshje të dominuar, Vllaznia arriti suksesin dhe trofeun e shtatë në historinë e klubit shkodran teksa merita më e madhe shkon për arkitektin e skuadrës, Thomas Brdariç.
Pjesa e parë foli vetëm për Vllazninë teksa Skënderbeu tregoi më shumë vëmendje për mbrojtjen dhe pas disa rasteve me Dilaver apo Jonuzi, shkodranët gjejnë avantazhin e merituar deri në ato momente me Da Silvan. Lojtari gjuan në zonë një top që devijohet nga Sadriu dhe shkon në rrjetë, 1-0 .
Lojtarët e Vllaznisë shkojnë të festojnë me tifozët pas portës.
Me pjesën e parë në avantazh, Vllaznia ruan sërish agresivitetin edhe në fraksionin e dytë pavarësisht se Skënderbeu rrit presionin dhe me Marën e gjithashtu Sadriun krijojnë iluzionin e golit për korçarët. Gjithsesi shkodranët tregohen sërish të rrezikshëm me Dilaver dhe Da Silva ndërsa në 81 e kanë edhe më të lehtë pasi Zguro del me të kuq dhe për Skënderbeun vetëm dorëzimi mbetet.
Në fund është Vllaznia që fiton me rezultatin final 1-0 dhe pas 13 vjetësh rikthehet te trofeu I Kupës së Shqipërisë të cilën e fiton për herë të 7 në historinë e klubit.
Vërshëllima finale shpërtheu me pas edhe festën e skuadrës bashkë me trajnerin Brdaric, arkitektin e këtij suksesi të merituar.