Vrau Kurtin dhe u vra nga Pepa, e kaluara e errët e Paluçit në Itali, grabiste biznese
October 22, 2025Flori Paluçi, 33-vjeçari i dyshuar si autori i njërës prej vrasjeve të ndodhura mëngjesin e sotëm në Manëz të Durrësit, rezulton të ketë një të kaluar kriminale. Ai është arrestuar më herët në vitin 2015 në Itali, si pjesë e një bande të strukturuar grabitësish që vepronin në mënyrë të sofistikuar në disa qytete italiane. Grupi përbëhej nga 6 shtetas sicilianë dhe Paluçi si i vetmi shqiptar, të cilët identifikoheshin nga metoda e veçantë që përdornin për grabitjet hapjen e vrimave në muret e bizneseve për të depërtuar brenda tyre.
Hetimet ndaj këtij grupi nisën në verën e vitit 2014, pas dy grabitjeve të dhunshme të argjendarive në Ravenna dhe Alfonsine, ku brenda një periudhe 20-ditore, autorët arritën të merrnin sende me vlerë rreth 200,000 euro. Në njërin prej rasteve, grabitësit janë përballur edhe me pronarin e dyqanit, duke mbajtur armë lodër për të trembur dhe neutralizuar viktimën, e më pas janë larguar me një sasi të konsiderueshme sendesh të çmuara.
Konflikti sot në Manzë nisi për kafe. Kurti ishte ulur në tavolinë me Daniel Pepën, 21-vjeç, i cili i kishte kërkuar kamerierit të përgatiste një kafe, por kjo nuk u bë e mundur pasi ekspresi ishte i fikur. Pas kësaj, personi që ishte ulur me kamerierin, 33-vjeçari Flori Paluçi, ndërhyri në debat dhe mori armën, duke qëlluar ndaj Aranit Kurtit dhe duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, Daniel Pepa, shoku i Kurtit ka reaguar duke vrarë me armë zjarri 33-vjeçarin Paluçi.
Pas ngjarjes, pesë persona shoqërohen në komisariat.
Mësohet se të gjithë të shoqëruarit ishin në lokal në momentin e ngjarjes, ndërsa kanë dhënë para hetuesve të njejtin variant, pra që konflikti ka nisur për ekspresin e kafesë.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, Daniel Pepa, së bashku me Arianit Kurtin kanë shkuar në lokal dhe Danieli i ka kërkuar kamarierit të lokalit që t’i bënte një kafe. Kamarieri i është përgjigjur që ekspresi ishte i fikur dhe se nuk mund të bënte kafe. Më pas, sipas informacioneve, Danieli i ka kërkuar që ta ndizte ekspresin duke përdorur edhe fjalë fyese në drejtim të kamarierit. Aty ka ndërhyrë Flori Paluçi, i cili i ka thënë që ti nuk mund ta fyesh, pasi kamarieri është ulur në tavolinë me mua. Pas këtij momenti kanë nisur debatet verbale mes tyre dhe kanë degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Sipas dinamikës paraprake, i pari që ka qëlluar është Flori Paluçi, i cili ka vrarë Arianit Kurtin, dhe më pas Daniel Pepa ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin.
Ndërkohë versioni i dhënë nga kamerierët dhe dëshmitarët vërtetohet edhe nga pamjet nga kamerat e sigurisë.


