Xherdan Shaqiri shitet tek Lyon, përshëndetet me fansat e Liverpoolit

Xherdan Shaqiri shitet tek Lyon, përshëndetet me fansat e Liverpoolit

August 24, 2021 0

Xherdan Shaqiri ka lëshuar një mesazh për fansat e Liverpoolit, pas kalimit te Lyon në Ligue 1.

Sulmuesi anësor shqiptar ka kompletuar transferimin te Lyoni këto ditë, duke lënë Ligën Premier.

Ai nuk ka harruar të falënderojë fansat e Liverpoolit që iu gjetën pranë gjatë qëndrimit në këtë klub, ku fitoi titullin në Ligën Premier dhe Ligën e Kampionëve.

“Tifozë të dashur dhe Liverpool FC. Do të më mungoni! Ju dhe ky klub i veçantë me stadiumin e mrekullueshëm Anfield. Ju faleminderit për gjithë mbështetjen tuaj. Gjithë të mirat, qëndroni të sigurt. Xherdani #YNWA”, ka shkuar Shaqiri.

Lyoni dhe Liverpooli kanë konfirmuar se kanë arritur marrëveshje për Xherdan Shaqirin.

Skuadra franceze e transferoi lojtarin shqiptar që përfaqëson Zvicrën për një shumë 6 milionë euro plus pesë milionë bonuse, ndërsa ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2024.

Përmes një komunikate për media, Liverpooli konfirmoi se Shaqiri i është bashkuar Lyonit.

“Xherdan Shaqiri ka përfunduar sot një transferim të përhershëm në Lyon pas tre vitesh me Liverpoolin”, thuhet në njoftim të The Reds.

“Lojtari i Kombëtares zviceran përfundoi një kalim që do ta shohë atë të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij me klubin e Ligue 1”.

“Ai largohet nga Reds me medalje fituese në Premier League, Champions League, FIFA World Cup Club dhe UEFA Super Cup, pasi ka shënuar tetë gola në 63 paraqitjet e tij nën Jürgen Klopp”.

“Shaqiri u bashkua me Liverpoolin nga Stoke City në verën e vitit 2018 dhe shpejt u dashurua me tifozët e Reds mderisa shënoi golin e fitores si zëvendësues kundër Manchester United në Anfield”, thuhet më tej në njoftimin e Liverpoolit.

Ndërsa, komunikatat e lëshuar nga Lyoni thotë: “Olympique Lyonnais është shumë i kënaqur të njoftojë nënshkrimin e mesfushorit zviceran Xherdan Shaqiri nga Liverpool, për një tarifë prej 6 milionë eurosh, me një maksimum prej 5 milionë eurosh në bonus” thuhet në njoftimin e klubit francez.

“Pasi ka kaluar testet mjekësore sot në Lyon, Xherdan Shaqiri ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me Olympique Lyonnais, deri më 30 qershor 2024”.

“29 vjeçari dhe me origjinë nga Kosova, Xherdan Shaqiri ka 96 paraqitje për ekipin kombëtar të Zvicrës. I konsideruar si një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e futbollit zviceran së bashku me Alexander Frei dhe Stéphane Chapuisat, mesfushori sulmues është aktualisht golashënuesi më i mirë i kombëtares zvicerane në turnetë e mëdhenj ndërkombëtarë (8 gola në 17 paraqitje)”, vazhdon më tej komunikata.

Shaqiri ka luajtur më parë me klube Basel, Bayern Munich, Inter dhe Stoke City.

revista.one/