Zjarrfikës dhe patronazhist në Tiranë, koka e trafikut të kokainës Gjermani-Zvicër

Zjarrfikës dhe patronazhist në Tiranë, koka e trafikut të kokainës Gjermani-Zvicër

June 21, 2021 0

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet, duke çuar në pranga 8 persona, ndër ta edhe Ndriçim Harka, i konsideruar si koka e grupit e trafikut të drogës.

Harka punonte si zjarrfikës në Shqipëri, dhe sipas Prokurorisë merrej edhe me rekrutimin e personave që do të kryenin transportin e kokainës.

Hetimet për këtë grup kanë nisur nga autoritetet zvicerane në vitin 2015, por një letërporosi e dërguar, ka bërë që të nisin hetimet edhe në Tiranë.

Tre kilogram kokainë janë sekuestruar në disa raste, ndërsa prokuroria thotë se për transportin e lëndës narkotike paguheshin deri në 3,500 euro.

Në dosje është edhe dëshmia e një shtetasi gjerman, Michael Schmiedel, i cili thotë se për llogari të shqiptarëve ka transportuar 7 herë kokainë dhe është paguar me 1 mijë euro për rrugë.

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi ka reaguar për rastin e arrestimit të punonjësit të Zjarrfikëses Tiranë, i përfshirë në trafik droge.

“Ndalohen dy trafikantë droge dhe përgjimet tregojnë se kanë qenë të angazhuar në blerje votash për regjimin Rama-Doshi. Arrestohet për trafik droge një punonjës i zjarrëfikëses në Tiranë dhe rezulton të jetë patronazhist i PS-së. Ky është kriminalizimi i politikës, kjo është masakra zgjedhore e 25 prillit, kështu u pengua ndryshimi që njerëzit donin, me trafikantë droge e paratë e pista të drogës. Zhbërja e kësaj padrejtësie është dhe do të mbetet misioni ynë. Ne nuk do të ndalemi në betejën tone kundër kësaj pakice që përdor çdo mjet për të tjetërsuar vullnetin e lirë të shqiptarëve. Me shumicën e qytetarëve ne do të kthejmë legjitimitetin dhe demokracinë në vend”.

Deklarata shoqërohet me listën e patronazhistëve të PS-së, ku rezulton edhe emri i punonjësit zjarrfikës Ndriçim Harka.

revista.one/