Zjarri kërcënon tunelin e Kalimashit, Kosova dërgon ushtrinë dhe zjarrfikësit
August 10, 2021Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se mbrëmë ka kërkuar mobilizim urgjent të ekipeve të zjarrfikësve për t’i ndihmuar autoriteteve lokale të Kukësit në luftimin e zjarreve.
Ministri Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qendra Operative e MPB-së, në bashkëpunim me atë të AME-së, kanë përgatitur trupat për dislokim në Republikën e Shqipërisë, konkretisht në Qarkun e Kukësit për mbështetjen e autoriteteve vendore në luftimin e zjarreve.
“Jemi në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet dhe sapo kanë arritur atje ekipet e para të zjarrfikësve sipas kërkesave”, ka thënë Sveçla.
Më tej ai ka thënë se “ne do të jemi përherë përkrah njëri-tjetrit, në tejkalimin e sfidave të përbashkëta”.
Në ndihmë zjarrfikësve dhe Ushtrisë së Shqipërisë në shuarjen e zjarreve është nisur edhe një kontingjent i pjesëtarëve të FSK-së.
Kontigjenti i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i nisur në operacionin e shuarjes së zjarreve në Shqipëri, tashmë ka kaluar kufirin dhe pritet shumë shpejt t’i bashkëngjitet ekipeve të zjarrfikësve dhe Ushtrisë Shqiptare në zonat e prekura nga zjarret.
Pas autorizimit nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, trupat FSK-së, do t’i vihen në dispozicion autoriteteve shqiptare me qëllim të shuarjes dhe vënies në kontroll të zjarreve.
Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, një orë më parë ka bërë të ditur se tashmë janë nisur trupat e FSK-së në mbështetje të vëllezërve e motrave tona në Republikën e Shqipërisë.
Nga zonat e prekura me zjarre në Shqipëri vijnë lajme alarmante për përhapjen e zjarreve, sidomos në veri të vendit.
Ndërkohë zjarri mbi tunelin e Kalimashit ka dalë jashtë kontrollit. revista.one/