Zuckerberg prezantoi supersyzet me Inteligjencë Artificiale, shiten sa një telefon
September 18, 2025Kompania “Meta” ka zbuluar një gamë të re syzesh inteligjente, të mundësuara nga teknologjia e saj e inteligjencës artificiale (IA), ndërsa pretendon se ato do të jenë një aksesor i domosdoshëm për përdoruesit në të gjithë botën.
Në konferencën vjetore të zhvilluesve “Meta Connect”, shefi i gjigantit të mediave sociale, Mark Zuckerberg, njoftoi një sërë pajisjesh në partneritet dy firma syzesh.
Firma prezantoi gjithashtu një të ashtuquajtur byzylyk nervor, që me syzet e saj Meta Ray-Ban Display, lejon përdoruesit të kryejnë detyra të tilla si dërgimi i mesazheve me gjeste të vogla dore.
Ngjarja vjen në një kohë kur pronari i Facebook, Instagram dhe WhatsApp përballet me shqyrtime të vazhdueshme mbi ndikimin e produkteve të tij, veçanërisht tek fëmijët.
Ai e quajti teknologjinë një “zbulim të madh shkencor” përpara një audience prej qindra personash të mbledhur në kampusin e kompanisë në Silicon Valley, informon BBC.
Meta Ray-Ban Display vjen me një ekran me ngjyra të plota dhe rezolucion të lartë në një lente të vetme, ku përdoruesit mund të kryejnë video-thirrje dhe të shohin mesazhe. Ai gjithashtu përmban një kamerë 12 megapikselëshe.
Gjatë demonstratave të tij para audiencës, gjërat nuk shkuan gjithmonë sipas planit.
Një telefonatë nëpërmjet WhatsApp e cila është gjithashtu në pronësi të Metës drejtuar syzeve, nuk u realizua pavarësisht përpjekjeve të përsëritura.
“Nuk di çfarë t’ju them,” u tha Zuckerberg pjesëmarrësve. “Vazhdoj ta prish këtë gjë.”
Pavarësisht pengesës, Zuckerberg shpreson që linja e aksesorëve inteligjentë të Meta-s do të jetë një platformë kyçe për integrimin e mjetit të saj të inteligjencës artificiale, Meta AI, në jetën e njerëzve.
Analistët thonë se syzet inteligjente ka të ngjarë të jenë më të suksesshme sesa projekti Metaverse me vlerë disa miliardë dollarë i firmës – botë virtuale për të lidhur përdoruesit në mjedise dixhitale.
“Ndryshe nga kufjet VR, syzet janë një formë e përditshme dhe jo e rëndë,” tha zv.presidenti dhe drejtori i kërkimit i Forrester, Mike Proulx.
Por, shtoi ai, “barra është mbi Metën për të bindur shumicën dërrmuese të njerëzve që nuk zotërojnë syze me inteligjencë artificiale se përfitimet i tejkalojnë koston”.
Kompania tha se nuk diskuton informacionin e shitjeve, por kuptohet se ka shitur rreth dy milionë palë syze inteligjente që kur hyri në treg në vitin 2023.
Syzet inteligjente të Metës do të jenë në dispozicion këtë muaj dhe do të kushtojnë 799 dollarë (586 paund), qindra dollarë më shumë se syzet aktuale inteligjente të Metës.
Zuckerberg zbuloi gjithashtu syzet Oakley Meta Vanguard me çmim 499 dollarë, të cilat u drejtohen entuziastëve të sportit, si dhe gjeneratën e dytë të syzeve Ray-Ban Meta, me çmim 379 dollarë.
Zuckerberg tha në korrik se kompania do të shpenzonte qindra miliarda dollarë për ndërtimin e qendrave të të dhënave të inteligjencës artificiale në SHBA.
revista.one/