17-vjeçarja ra pre e dhunës nga shoqet para një muaji dhe nuk u mor asnjë masë, detaje nga ngjarja në Fier
July 7, 2026Një ngjarje e rëndë, e cila ka tronditur opinionin publik pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale, ka ndodhur rreth një muaj më parë në qytetin e Fierit.
Sipas të dhënave, një 17-vjeçare është dhunuar brutalisht nga tre bashkëmoshataret e saj brenda ambienteve të një banese. Vajza ishte ftuar nga shoqet e saj me pretekstin për të sqaruar një bisedë, por takimi ka përfunduar në një akt të rëndë dhune fizike, ndërsa njëra prej tyre filmonte dhe nxiste agresionin.
Ngjarja është denoncuar në Policinë e Fierit nga prindërit e 17-vjeçares një ditë pas episodit. Megjithatë, sipas familjarëve dhe fqinjëve, institucionet nuk kanë reaguar me masat e duhura, çka ka bërë që rasti të rikthehet në vëmendje vetëm pas publikimit të videos.
Sipas të afërmve, e mitura me inicialet P.D. kishte ndërprerë shkollën për të ndjekur një kurs parukerie, me synimin për të siguruar një profesion.
Nëna e 17-vjeçares shprehet se është thellësisht e shqetësuar për gjendjen psikologjike të vajzës së saj dhe kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse. Ajo thotë se jeton me frikë edhe për sigurinë e fëmijëve të tjerë të mitur të familjes.
Ndërkohë, çështja është në shqyrtim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të videos ku shfaqet dhunimi i një 17-vjeçareje nga tre vajza, duke sqaruar se rasti është trajtuar menjëherë pas kallëzimit dhe se janë kryer të gjitha veprimet procedurale në bashkëpunim me Prokurorinë.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 8 qershor 2026. Po atë ditë, 17-vjeçarja është paraqitur në Komisariatin e Policisë Fier së bashku me nënën e saj dhe ka kallëzuar se ishte dhunuar dhe filmuar në banesën e një 19-vjeçareje nga kjo e fundit dhe dy vajza 15-vjeçare.
Menjëherë pas denoncimit, tre të dyshuarat janë shoqëruar në komisariat, ku kanë pranuar se kishin ushtruar dhunë ndaj 17-vjeçares për motive të dobëta.
Policia bën me dije gjithashtu se më 28 qershor është arrestuar njëra prej 15-vjeçareve, pas një kallëzimi të bërë nga nëna e saj, e cila deklaroi se ishte dhunuar fizikisht nga e bija. Pas procedurave përkatëse, e mitura është dërguar për trajtim në një institucion të specializuar të shëndetit mendor në Tiranë.
Njoftimi i plotë:
Nisur nga sensibiliteti i lartë publik i krijuar pas publikimit në rrjetet sociale të videos së një ngjarjeje të ndodhur më datë 08.06.2026, si dhe pas reagimeve dhe interesit të madh të qytetarëve në drejtim të adresave zyrtare dhe rrjetet sociale të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Fier e konsideron të nevojshme të risqarojë opinionin publik mbi masat e marra dhe veprimet e kryera nga strukturat e Policisë në lidhje me këtë rast, dhe më konkretisht:
Më datë 08.06.2026, një shtetase 17 vjeçe është paraqitur në Komisariatin e Policisë Fier, së bashku me nënën e saj, dhe ka kallëzuar se ishte dhunuar dhe filmuar në banesën e shtetases L. L., 19 vjeçe, nga kjo e fundit dhe dy shtetase të tjera 15-vjeçare.
Menjëherë pas kallëzimit të së miturës, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë vlerësuar maksimalisht denoncimin dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore, në përputhje me parashikimet ligjore.
Në vijim të veprimeve hetimore, janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë shtetasja L. L., 19 vjeçe, si dhe 2 shtetaset e mitura 15-vjeçare, të cilat deklaruan se kishin ushtruar dhunë ndaj shoqes së tyre, shtetases së mitur 17 vjeçe, për motive të dobëta.
Në përfundim të veprimeve, më datë 09.06.2026, materialet procedurale i’u referuan Prokurorisë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, në ngarkim të 3 shtetaseve të mësipërme.
Gjithashtu, sqarojmë se, më datë 28.06.2026, nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në koordinim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, është arrestuar njëra nga 15-vjeçaret e përfshira në dhunimin e 17-vjeçares. Arrestimi u bë pas kallëzimit të nënës së 15-vjeçares, e cila deklaroi se ishte dhunuar nga vajza e saj, duke i shkaktuar dëmtime fizike.
Pas procedurave përkatëse dhe bazuar në vlerësimin e autoriteteve kompetente, 15-vjeçarja e arrestuar është dërguar për trajtim në një institucion shëndetësor të specializuar për shëndetin mendor, në Tiranë.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier rithekson se ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin, në bashkëpunim të ngushtë me organin e Prokurorisë, i cili është autoriteti kompetent për vijimin e procedimit penal.
Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar për trajtimin me seriozitet të çdo rasti që cenon sigurinë e qytetarëve, veçanërisht kur në këto ngjarje përfshihen të mitur, duke vepruar me profesionalizëm, paanshmëri dhe në zbatim të plotë të ligjit.
revista.one/

