‘Do të të vras, nëse ma merr vajzën’, ja pse reperit Fero iu caktua 1 muaj paraburgim

‘Do të të vras, nëse ma merr vajzën’, ja pse reperit Fero iu caktua 1 muaj paraburgim

July 13, 2023 0

Reperi i njohur Fero Fera është arrestuar nga policia pasi ka kërcënuar me jetë dhe ka dhunuar partneren e tij, Arbenita Ismaji.

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, duke ia caktuar masën e paraburigmit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, reperit Feronit Shabani, i njohur për publikun si “Fero”.

Lajmin e ka konfirmuar Sabit Shkodra, zëdhënës i Gjykatës Themelore në Gjilan.

Ngjarja ka ndodhur pas një sherri në banesën e çiftit, ku dyshohet se Fero ka goditur me grusht modelen dhe i ka thyer telefonin, sipas Gazetës Sinjali.

Reperi mësohet se i ka thënë “do të të vras nëse ma merr vajzën”. Pas dhunës së ushtruar ndaj saj, Arbenita është larguar nga banesa ku bashkëjeton me Feron dhe vajzën e tyre, dhe ka bërë denoncim në polici.

Pas kallëzimit, reperi është arrestuar nga efektivët e Gjilanit  dhe është marrë në pyetje. E së fundmi Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë kërkesë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj reperit Feronit Shabani, i njohur me emrin “Fero”.

Lajmi për mediat e Kosovës është bërë i ditur nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Liridona Xheladini.

Zëdhënësja tha se reperi Fero dyshohet për veprën penale “Dhunë në familje”.

“Ndaj të njëjtit është kërkuar masa e paraburgimit për veprën penale Dhunë në familje”, është përgjigjur Xheladini.

Ndryshe, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur me 11 korrik 2023, ku thuhet që pas një mosmarrëveshje, i dyshuari ka kanosur bashkëshorten e tij.

“Gjilan 11.07.2023 – 11:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje, ka sulmuar fizikisht dhe ka kanosur viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, njoftoi Policia.

revista.one/