ShBA bisedime të fshehta me Shqipërinë dhe Kosovën për strehimin e mijëra afganëve
August 13, 2021Administrata e Presidentit të SHBA, Joe Biden, ka zhvilluar bisedime të fshehta me disa vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, për të siguruar strehimin e përkohshëm të afganëve që punonin për qeverinë amerikane.
Lajmi është bërë i ditur për “Reuters” nga katër zyrtarë amerikanë, të cilët janë shprehur se administrata amerikane kërkon të mbrojë afganët e lidhur me SHBA-në nga hakmarrjet talebane, ndërkohë që përfundojnë në mënyrë të sigurt procesin e miratimit të vizave të tyre amerikane.
Teksa talebanët po përparojnë në mënyrë të frikshme drejt qëllimit të tyre për të marrë nën kontroll Afganistanin, Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten se do të dërgojnë 1.000 punonjës në Katar për të përshpejtuar përpunimin e aplikimeve për Vizat Speciale të Imigrimit (SIV).
Afganët që shërbyen si përkthyes për qeverinë amerikane dhe ata që kanë kryer punë të tjera kanë të drejtë të aplikojnë për programin SIV.
“Është thellësisht shqetësuese që nuk ka ndonjë plan konkret për evakuimin e aleatëve të cilët janë qartazi në rrezik”, tha Krish O’Mara Vignarajah, President i Organizatës së Zhvendosjes së Shërbimit Ligjor të Imigrimit dhe Refugjatëve.
Dy zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se vendet ishin në mëdyshje për të marrë afganët për shkak të shqetësimeve në lidhje me cilësinë e verifikimit të sigurisë dhe kontrollit shëndetësor për COVID-19, para se të lejohen të fluturojnë.
Ngurrimi i disa vendeve ka bërë që administrata amerikane të “hedhë sytë” te disa vende të tjera dhe t’i “joshë”.
Kosova dhe Shqipëria janë vendet me të cilat ka diskutuar administrata amerikane, sipas Reuters, nga të cilat ka kërkuar që të strehojë afganët e lidhur me SHBA-në derisa të përfundojë procesi i miratimit të vizave të tyre amerikane.
Sipas “Reuters”, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë ekonomike dhe politike për Kosovën në këmbim që të pranojë disa mijëra afganë. Por në të njëjtën kohë, ka shqetësim në Uashington për aftësinë e Kosovës për të strehuar afganët.
Ambasada amerikane në Prishtinë dhe Qeveria e Kosovës ende nuk janë përgjigjur në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me këto informacione.
As Ministria e Jashtme e Kosovës dhe as autoritetet në Shqipëri nuk kanë dhënë asnjë koment për këtë kërkesë. E njëjta kërkesë iu është drejtuar edhe Kazakistanit, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit.
Deri më tani, rreth 1,200 afganë janë evakuuar në Shtetet e Bashkuara dhe ky numër do të rritet në 3,500 në javët e ardhshme në kuadër të “Operacionit të Aleatëve Refugjatë”. Disa do të shkojnë në një bazë ushtarake amerikane në Virxhinia për të përfunduar dokumentet e tyre.
Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni.
Ambasadat e Shqipërisë, Kazakistanit, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit nuk iu përgjigjën kërkesës së agjencisë Reuters për të komentuar këtë çështje.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i tha agjencisë Reuters se “mund të priten shqetësime të llojit: ‘Kush janë këta njerëz? Si i njihni këta njerëz? A mund të siguroheni që këta njerëz do të marrin viza në Shtetet e Bashkuara?”.
Por, ky zyrtar nuk pranoi të konfirmojë se me cilat vende po zhvillojnë bisedime Shtetet e Bashkuara.
Një marrëveshje me Katarin për strehimin e rreth 8,000 afganëve është përfunduar para disa javësh, tha një zyrtar amerikan, por ajo zyrtarisht ende nuk është bërë e ditur.
revista.one/