(VIDEO) Momenti kur Arbër Çekaj tenton të arratiset nga burgu “313”, zbret me litar në pak sekonda
September 3, 2021Publikohet video e kamerave të sigurisë në Burgun 313, ku tregohet momenti kur tentojnë të arratisen Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri. I pari i kapur për sasinë më të madhe të kokainës të futur në Shqipëri, plot 613 kg, ndërsa i dyti është pjesë e “Bandës së Babagjyshërve”.
Siç shihet në video, Çekaj dhe Pjetri arrijnë të zbresin nga kati i tretë përmes një çarçafi të bërë gërshetë dhe në duar mbajnë çengela hekuri. I pari zbret nga litari Pjetri, ndërsa pas tij bie edhe Çekaj, i cili siç shihet në pamje, në momentin që bie poshtë, rrëzohet, por ngrihet menjëherë dhe të dy kalojnë rrethimin.
Gjithçka ndodh në vetëm pak sekonda, ndërsa në momentin që kalojnë rrethimin, ata përballen me një polic, të cilin e godasin me çengel hekuri, por më pas kapen nga policët e tjerë.
Ngjarja ndodhi më 8 gusht të këtij viti, ku sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Burgjeve, Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri e kanë organizuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin tentativën e arratisjes. Ata kanë shfrytëzuar situatën e stisur nga një i paraburgosur tjetër, i cili ka tërhequr vëmendjen e forcave të sigurisë, duke prerë damarët e dorës.
Menjëherë pasi gardianët kanë shkuar t’i ofrojnë ndihmë shtetasit Lulzim Çepele, që kishte prerë damarët, Çekaj e Pjetri kanë tentuar të arratisen, por tentativa e tyre ka dështuar dhe ata janë ndaluar në kohë.
Kujtojmë se 6 policë u pezulluan nga detyra në lidhje me tentativën e arratisjes. Gëzim Ramushi, Sajmir Shahini, Bashkim Muca, Oldi Myzyri, Redion Maloku dhe Edmon Prenga dyshohet se me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë kontribuar në planin e arratisjes. Në rrëfimet e tyre, fajin e arratisjes e mori përsipër Pjetri, ndërsa Çepele ka thënë se nuk kishte dijeni, kurse Çekaj theksoi se e ndoqi shokun e tij, por më pas u kthjellua dhe nuk vijoi vetë. /Marrë nga News24/
revista.one/