Me Hummer-in elektrik që projektoi ai, Joe Biden bëri një xhiro – kush është vlonjati që punon në General Motors

Me Hummer-in elektrik që projektoi ai, Joe Biden bëri një xhiro – kush është vlonjati që punon në General Motors

November 21, 2021 0

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, pak ditë më parë është parë duke bërë një xhiro me një veturë Hummer elektrik.

Këtë, presidenti amerikan e bërë gjatë një vizite në fabrikën e General Motors në Detroit.

“…Kjo është diçka shumë e veçantë”, kishte thënë ndër tjerash Biden me gazetarët e pranishëm.

Por, besojeni ose jo, kjo makinë e veçantë është e projektuar nga një shqiptar që ka kohë që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe punon në gjigantin General Motors.

Thënë më qartë, bëhet fjalë për një seri makinash elektrike të GM-së, që janë projektuar nga një grup inxhinierësh të talentuar, në krye të të cilit është një shqiptar nga Vlora: Gjergji Shaska.

Ai ka konfirmuar një fakt të tillë duke thënë se është pjesë e inxhinierëve që kanë projektuar Hummer EV.

“Roli im ka qenë në projektimin e Electric Powertrain, që përfshin Lithium-Ion bateri dhe transmisionin elektrik. Electric Powertrain është zemra e një makine elektrike, që në një makinë të zakonshme është Powertrain (Motori dhe Transmisioni)”, ka thënë Shaska.

“Gjithashtu ka dy motorë elektrikë mbrapa dhe një përpara që së bashku i japin një fuqi prej 1000 kuaj fuqi. Hummer EV arrin shpejtësinë 0-100 km/h në më pak se 3 sekonda. Është një makinë e mrekullueshme dhe ndihem shumë krenar që jam pjesë e grupit të inxhinierëve që e kanë projektuar”, ka thënë tutje Shaska.

Megjithatë, ai ka bërë të ditur se Hummer EV nuk është e vetmja makinë që ai është duke punuar, duke theksuar se Cadillac LYRIQ EV është një tjetër makinë që do të dalë në shitje në muajt e ardhshëm, nga 30 makina elektrike që General Motors do të sjellë në shitje në vitet e ardhshme.

“Një tjetër projekt shumë interesant që po punoj është Cruise Origin Autonomous Vehicle, e cila do të përdoret si taksi pa shofer dhe nuk ka timon apo pedale”.

Por kush është Gjergji Shaska?

Sipas rrëfimit të tij, ai është prej një familje patriotike të njohur në Vlorë, përkatësisht familje antikomuniste me disa anëtarë të familjes, të arratisur në Amerikë në vitin 1945.

“Gjyshi i dënuar me 25 vjet burg me grupin e deputetëve në vitin 1947. Në mars të vitit 1991, dy vëllezërit e mi më të mëdhenj largohen në Itali me eksodin dhe në gusht të po të njëjtit vit shkojnë në Amerikë. Unë pasi mbaroj shkollën e mesme në Vlorë, emigroj në Amerikë në vitin 2003 me bashkim familjar. Babai im Bedri Shaska ka qenë kryetar i Partisë Demokratike në Vlorë në 1993-1994, ku jep dorëheqjen pas humbjes se referendumit”, ka rrëfyer Shaska, gjatë intervistës.

Ndërsa duke folur rreth karrierës së tij në SHBA në përgjithësi, dhe në GM në veçanti, ai ka bërë të ditur se për afro 6 vjet është “Electrification System Architect” në General Motors, ku është përgjegjës për të gjithë ”Programet e Elektrifikimit” duke filluar që nga MHEV, HEV, PHEV, BEV, si dhe FCEV.

“Përpara General Motors kam qenë Electrified Powertrain System Engineer në Ford Motor Company në të njëjtën fushë. Në Ford kam punuar në elektrifikimin e veturave Ford dhe Lincoln. Përpara Ford kam qenë në A123 System që ishte një nga kompanitë e para që filloi të prodhonte Lithium-Ion Battery për makinat elektrike. A123 u krijua nga një profesor nga MIT që zbuloi një ‘qelizë’ për tu përdorur në bateritë për makinat elektrike”, ka treguar ai.

Gjatë intervistës, Gjergji Shaska është pyetur edhe rreth asaj nëse ka shqiptarë të tjerë që punojnë bashkë me të në këtë kompani.

Në këtë kontekst ai ka thënë se ka edhe shqiptarë të tjerë që punojnë në General Motors, por jo me të në Elektrifikim.

Dhe për fund, ai ka dhënë një mesazh për të rinjtë shqiptarë: “Nëse keni dëshirë të krijoni një të ardhme të suksesshme në Amerikë, mundësia më e mirë është shkollimi në degët e inxhinierisë elektronike dhe informatikës. E ardhmja është në teknologji dhe këto do të jenë degët më të kërkuara në të ardhmen në Amerikë”. 

revista.one/