E vërteta e vaksinave kineze, pse mbahet sekret sasia? Flet Tomini
March 23, 2021Rritja e fluksit të infektimeve dhe mungesa e sasisë së nevojshme të vaksinave perëndimore janë arsyet që kanë bërë që qeveria shqiptare të kthejë sytë nga vaksina ruse dhe ajo kineze. Kjo ishte deklarata e zv/ministres së Shëndetësisë, Eugena Tomini. Ajo tha se vaksinimi masiv të orienton drejt vaksinave të tjera, ndaj përveç Pfizer, ekspertët kanë vlerësuar mundësinë e marrjes së dozave të tjera nga Lindja. Fluksi i shtuar i infektimeve dhe mos marrja e sasisë së pretenduar nga vaksinat perëndimore tha Tomini në ‘Open’ hapi mundësitë për kanalet e tjera.
Ndryshimi nuk është 180 gradë, se ishim fokusuar tek vaksinat e BE, siç ishin Pfizer dhe Moderna. Përpjekjet ishin që të vinin sa më shpejt. Por numri i rasteve filloi të ngrihej vrullshëm. Në shkurt patëm një rritje të kurbës. Dhe për këtë, komiteti i ekspertëve gjykuan edhe mundësinë për të hyrë edhe vaksina të tjera në vend. U bë një gjykim i mirë dhe prandaj vendosën të merreshin. Më 27 dhjetor filloi dhe vaksinimi në botë, ne ishim në tratativa për marrjen e Pfizer. Në fillim nuk kishim mendje për vaksinat nga Lindja, pasi kishim synim 500 mijë vaksina nga Pfizer. Por kurrë nuk është hequr mundësia për marrjen e vaksinave të tjera. Duke filluar që nga protokollet e vlerësimit, evoluimi përkundrejt një vaksinimi masiv të orienton drejt kanaleve të tjera të komunikimit. Për të ulur intensitetin e madh të infektimit, kërkuam dhe kanale të tjera”, tha Tomini.
Edhe epidemiologu Ilir Alimehmeti tha se këto vaksina janë efektive, por duhet të pritur certifikimi nga EMA e cila do e bëjë atë së shpejti. Megjithatë tha ai rritja e rasteve me COVID nuk ka kohë për të humbur.
Ndërkaq, sasia e vaksinave kineze që do të kontraktohen mbahet sekret.
“Kur të mbarojë kontrata do jeni në dijeni të shifrës ekzakte, ndoshta në 72 orët në vijim. Janë disa kushte kontraktimi që nuk dua t’i bëj publike para finalizmit të kontratës” tha Tomini.