Eva Alikaj rrëfen marrëdhënien me Ndriçim Xhepën në vitet ‘80: Kënaqësi të interpretoja me të në skenë, por jashtë saj…
June 5, 2022Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte aktorja Eva Alikaj, e cila me anë të fotografive rrugëtoi nëpër kujtime dhe bëri një rrëfim të rrallë për jetën e saj.
Janë të shumtë aktorët e mëdhenj të kinematografisë shqiptare me të cilët Eva Alikaj ka ndarë skenën. Një prej tyre është edhe aktori i mirënjohur Ndriçim Xhepa.
Teksa në program u shfaqën fotografi nga shfaqjet “Prometeu” i Viktor Eftimiut dhe “Romeo dhe Zhuljeta” ku dy aktorët ishin partnerë, Eva tha se për të ka qenë shumë kënaqësi të interpretojë në skenë me Ndriçimin pasi është aktor shumë i mirë.
Ndërkohë për pjesën jashtë interpretimit, Eva Alikaj tha se me Ndriçim Xhepën nuk ishin shokë të mirë, “Çimi nuk ishte shumë i sjellshëm. Nuk të uronte kur kishe një premierë”.
Eva Alikaj më tej sqaroi se në përgjithësi nuk ka patur marrëdhënie jashtë skenës me njerëzit e teatrit pasi nuk kishte shumë kohë, “Kisha role njëra pas tjetrës dhe nuk mund të rrija me shumë njerëz. Unë kam ndenjur zakonisht vetëm”.
Eva Alikaj, ndër të tjera foli edhe për marrëdhënien që ajo ka me djalin e saj.
Eva rrëfeu se është ndarë nga ish-bashkëshorti austriak kur djali i saj Xhino ka qenë 4 vjeç.
Ajo kujtoi se periudha pas ndarjes ka qenë jo fort e lehtë, pasi ishte një grua e vetme, me një fëmijë të vogël, në një kohë kur as gjuhën nuk e dinte mirë.
“Xhino është dashuria dhe dhimbja ime”, tha Eva, teksa shtoi, “Nuk e kam përkëdhelur aq sa duhet. Isha dhe burrë dhe grua. Xhino ishte shumë i talentuar dhe kur je në muzikë klasike duhet përkushtim. Unë nuk kisha shumë durim, për shkak të ngarkesës në punë, që t’i ofroja atij qetësinë që i duhej”.
Aktorja e njohur tregoi se me rritjen e djalit është marrë vet, pasi babai i Xhinos nuk ka qenë prezent në jetën e tij.
Sot Eva dhe i biri kanë një marrëdhënie të ngushtë dhe ata ia kanë dalë pavarësisht të gjitha vështirësive, “Jemi si motër e vëlla”.
Një moment shumë i bukur në studio ishte kur Eva Alikaj mori një videomesazh nga i biri në gjuhën shqipe, i cili i shprehu publikisht mirënjohjen për çdo gjë që aktorja ka sakrifikuar për të.
Eva me shumë krenari tregoi se i biri është një djalë i përkushtuar dhe i dashur jo vetëm me të por edhe me prindërit e saj. Ajo zbuloi se tashmë Xhino është i dashuruar me një vajzë italo-zvicerane.
Aktorja foli gjatë për rolet e saj të shumtë dhe të suksesshëm që kanë mbetur në memorien e të gjithëve shqiptarëve. Teksa u pyet se kë nga rolet do të veçonte, aktorja tha se rolin e saj të parë, të Verës te “Njeriu i mirë” do ta cilësonte si rolin e jetës pasi e ndjen më afër karakterit të saj, “Më pëlqen shumë, madje edhe mënyra si më kanë ndenjur flokët”.
Gjatë bisedës Eva Alikaj ndau trishtimin e madh që ndjen për faktin se asaj i mungojnë ftesat për në skenë dhe mundësitë për të qenë pranë publikut janë të pakta.
Sipas Evës, kinematografia shqiptare prej gati 30 vjetësh është në gjendje jo të mirë pasi artistët e brezit të saj pas viteve ‘90 në njëfarë mënyre u lanë mënjanë, “Në vitin ‘90 nuk e filluan aty ku u la. Le të kishte gjëra të reja por jo të lihej mënjanë ai brez me aktorë të shkëlqyer. Në atë kohë aktorët ishin elitarë. Unë mendoj se asokohe e kemi bërë më të bukur Shqipërinë”.
Aktorja Eva Alikaj u shpreh se atëherë kishte një këshill artistik i cili vendoste, ndërkohë sot mungon diçka e tillë.
Eva Alikaj u surprizua me dy videomesazhe shumë të bukura në program, nga aktroja po aq e dashur për publikun shqiptar Zamira Kita dhe nga aktori Ilir Bezhani me të cilin aktorja ndan kujtime shumë të jashtëzakonshme nga komedia “Pallati 176”.