Debati për abortin/ Kokalari e PD-së: 45 sekonda merr për të përdorur prezervativin! Robert Aliaj: Jam pro…

Debati për abortin/ Kokalari e PD-së: 45 sekonda merr për të përdorur prezervativin! Robert Aliaj: Jam pro…

June 29, 2022 0

Debati për abortin nuk është vetëm social dhe ekonomik, por edhe politik. Anuela Ristani, nënkryetare e Bashkisë Tiranë është shprehur kundër vendimit të Gjykatës Supreme që e heq abortin si të drejtë kushtetuese të grave.

Ajo bazohet te mundësia ekonomike dhe problemet sociale ku mund të ndodhen shumë gra dhe të drejtën e tyre për të vendosur.

Ristani tha në “Open” në News24 se shumica grave nuk i kanë mundësit për të shkuar në një vend tjetër në kushte të rehatshme për të abortuar.

Ndërkohë Evi Kokalari, në lidhje “Skype” nga SHBA tha se kjo është hipokrizia më e pastër e majtistëve.

Anuela Ristani: Të dhënat tregojnë që realisht shumica e grave nuk e kanë mundësinë që të shkojnë në një vend tjetër në kushte të rehatshme për të abortuar. Një grua që ndodhet në një situatë të dëshpëruar këtë çështjen e të sjellurit të kazusit para administratës së shtetit dhe të priturit që rregullat të ndryshojnë është pak luks për shumicën e grave të cilat ndodhen në situata të tilla me një shtatzëni të padëshiruar.

Evi Kokalari: Zonja flet për pamundësinë financiare të një femre për të shkuar në një shtet tjetër, ndërkohë që 5 minuta përpara ia hoqi çdo të drejtë mashkullit, që është pjesë, që pa mashkullin nuk mund të ketë embrion. Këtu ka një gjë që nuk është logjikë e balancuar dhe këto arsyet jo po ka para, jo po s’ka para…kur s’ke para 45 sekonda të merr për të përdorur një prezervativ, nuk është ndonjë problem shumë i madh në qoftë se ti e ke problem që s’ke lekë për të shkuar në një shtet tjetër, d.m.th ti nuk ke lekë as të rrisësh një fëmijë, dmth ti po të ngelesh me barrë detyrimisht do ta heqësh fëmijën.

Robert Aliaj: Përgjegjësinë ia heqin sipas qejfit babait dhe ia japin pastaj me të gjitha kostot që iu mban përgjegjësia që i veshim atij në mënyrë të dhunshme si shoqëri. Të gjitha jetët janë të rëndësishme. Kanë të njëjtën vlerë. T’i japim të gjitha jetëve rëndësinë që meritojnë. Duhet gjetur një kompromis. Duhet bërë më me dorë në zemër ky debat. Po të mbash një pozicion sigurisht që do ndëshkosh anën tjetër.

Evi Kokalari: Logjika e saj është hipokrizia më e pastër e majtistëve në mënyrën se si ata i konceptojnë gjërat në përgjithësi i mendojnë, qoftë aborti, qoftë gjëra të tjera. Ajo sapo tha që ti si mashkull nuk ke asnjë të drejtë.

Anuela Ristani: Domethënë i mbrojmë para se të lindim, nuk i mbrojmë pasi të lindin. Kjo nuk është hipokrite. Kush është përgjegjës për fëmijën që lind dhe një grua që për 9 muaj është e vetme.

Linda Pano: Sapo jemi kthyer nga Hungaria, dhe është një nga vendet më model për familjen një grua shtatzënë merr 26 mijë euro deri sa fëmija lind dhe pasi lind familjes i sigurohet shtëpi. 50% e siguron shteti, 50% e merr me kredi me interes zero. Ka plot vende që kujdesen. Ne kujdesimi për të drejtat e femrës, por shumica e aborteve që bëhen janë selektive, sidomos në Shqipëri. Ne flasim për të drejtën e femrës që është e lindur, por jo për të drejtën e femrës që është akoma në bark.

Robert Aliaj: Është abuzuar me abortin, qoftë dhe për arsye estetike, justifikohet me këtë e drejta e trupit tim e bla bla bla.

Evi Kokalari: Nuk është i vetmi vendim që është anuluar nga vendimi i ri. Ka qenë një vendim tjetër i 1992. Çfarë bënte kjo, deri në 1992, vendimi i 1973 i kishte dhënë të drejtën baballarëve për të dhënë një mendim për abortin dhe në 1992 e hoqi dhe këtë të drejtë për babain. Liria jote mbaron në momentin që cenon dhe lirinë e tjetrit.

Artisti Robert Aliaj ka vënë theksin në faktin që zgjidhja qëndron në edukimin dhe ndërgjegjësimin e njerëzve përpara se të shkohet tek fenomeni.

“Mbi të gjitha është pesha bie tek individi. Përgjegjësia absolutisht është individuale. Edukimi është çelësi i një vendimi të duhur individual. Pa ndërgjegjen e individit asgjë nuk zgjidhet. Ky do të jetë një fenomen që do të vijojnë.

Në lidhje me liritë personale, ka një keqkuptim në lidhje me këtë. Ai i shparshmi mu duk një debat pa kuptim e pa lëndë. Nuk është liri personale kur mendon ashtu.

Jam pro abortit sepse besoj tek ndërgjegjja e njerëzve se nuk e bëjnë për sport. Ka një arsye aq të fortë që shkon tek ekzekutimi i një jete. Sepse është kaq komplekse gjëja sa edhe kur ke të drejtë të abortosh, është shumë problem sepse është respekti i marrjes së një jete. Jemi të barabartë. Nëna, babai, fetusi janë të pafajshëm dhe me të drejta barabarta për jetën.

Askush nuk ka më shumë.

Për mua zgjidhja nuk është të bëhet apo jo aborti, por të ndërgjegjësohen njerëzit para se të shkojnë tek fenomeni. Sepse shoqëria ka pafund probleme me seksualitetin dhe rrezikun kur ai është i shfrenuar.

Problemi nuk është të shkosh me kë të duash, por problemet që lindin pas kësaj. Është krijuar një model femëror që është krejtësisht e papërgjegjshme dhe thotë e di un ç’bëj me trupin tim.

Por kjo në shoqëri dëmton shumë se një femër që ka kaluar 150 veta dhe nuk ka përfunduar akoma me një, nuk do të përfundojë me asnjë dhe nuk është e besueshme për meshkujt e tjetër dhe nuk vlen”, është shprehur ai.

/News24