Çun Lajçi fiton çmimin ‘Aktori më i mirë në rol dytësor’ në Festivalin e Romës për “malësorin” tek filmi “Sofia” me tekst të At Zef Pllumit
August 7, 2022Aktori i njohur shqiptar, Çun Lajçi është shpërblyer me çmimin ‘Aktori më i mirë në rol dytësor’ në eventin e ndarjes së çmimeve të filmit në Itali, Rome Internacional Movie Awards 2022.
Këtë çmim ai e ka fituar në sajë të rolit të tij në filmin “Sofia” me regji të Eduard Grishajt.
Lajmin e ka bërë të ditur vet aktori me prejardhje nga Rugova, përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook.
Është fjala rolin e malësorit, në filmin “Sofia”, me tekst të At Zef Pllumit.
Shkrimi i plotë i Çun Lajçit:
Jam artist me çmim t’madh i thashë qenit që kërkonte ujë!
E shtune. Ditë me diell e kafiteri plot. Po njerëz pse kaq pak e pyesja vetën? Mos iken të gjithë n’det?
Me keqardhje po i numëroja qent endacak, n’Sheshin Nana Tereze. Ata shiheshin, që nga Ministria e Kultures deri të Teatri, se njerëzit ishin t’rrallë, të shtunden e djeshme.
Unë isha ulë n’kryqin e dy rrugëve. Asaj që t’çon poshtë të kinemaja ABC dhe kësaj tjetrës, që t’çon përpjetë, të Restorant Pishat!
Ah Pishat! Njiherë darkova me kompozitorin Engjëll Berisha, në ditëlindjen e tij, por ai vdiq e unë ma nuk shkova!
Çiftelin mundohesha me vu n’dyzen por jo me i ra si Sali Mani!
S’dojsha m’ua tërheqë vemendjen qenve, e qent afroheshin n’mungesë njerëzish. U merrnin erë librave e iknin.
Mos t’humbim kohë se nuk hahen shkronjat, sikur thonin!
S’me kishte shkua mendja të Gërmia! S’e kisha kujtua Dua Lipën e përformancën e saj. Jo pse s’e dua, përkundrazi, e pëlqej jasht mase, por meqë s’jam vip si pushtetarët, që t’me fusin mbrenda, pa me shqelmua rinia e policia, e kisha largua nga kujtesa. Kisha dalë me i shitë edhe pak libra t’bijes sime të ndjerë.
E pra mesditë ishte! Por rinia po flinte, ngaqë e kishin kalua natën nën qiellin e hapun t’Gërmisë e Sheshi ishte me qentë që i nuhasnin librat e mi!
Çiftelinë e vuna n’dyzen, por nga mbrapa, dikush mi mbylli sytë me shuplaka.
Qëlloja kush jam, foli!
Kot mi mbyllë sytë. Të mbyllun i kam që dy dekada i thashë, por ajo insistoj:
Dajë, qëlloja kush jam?
Duert i paske të buta. Za femne po, por kush dhe e kujt je, s’ia qëlloj, se e kam harrua edhe zanin tim, i thashë dhe vazhdova me i ra çiftelisë.
Me duel përpara. Ishte Aida. Vajza e Azem Shkrelit! Rreptë u çova dhe e mora ngrykë. S’di me kend u çmalla: Me vajzën time apo me nipin tim, lirikun e madh t’poezisë! Por e shtrëngova n’parzëm dhe i fola: Pres prishtinas e m’vjen nga Callgary çika e Azem Shkrelit! Kush t’kishte mendua ty, të librat e dajës, i thashë e n’çast u ngushtova që e gjet dajën tue shitë veprat e veta n’rrugë! U çmallem. N’ikje i mori 10 veprat e mia e s’harroi me m’thanë: Herdokur, t’pres n’Canada!
Dhe cingëron telefoni!
Urime për çmimin: “Artisti ma i mirë”, n’rolin kryesor, i festivalit të Romës, m’thotë Eduart Grishaj, regjisori i filmit “Sofia”, që e kishte marrë, poashtu çmimin, për regjisorin ma t’mirë të atij festivali!
Kisha harrua se kam ba film n’Theth, para dy vitësh.
Kisha harrua ku kam luejt e çka kam luejt, që kur fillova me luejt rolin e shitësit të librave!
Hajt burr se s’u ba nami! Po për cilin rol, e pyeta!
Për Malësorin, n’filmin “Sofia”, me tekst të At Zef Pëllumbit!
Dy artistë amerikan e nji australian i pate konkurent, e ti thua s’u ba nami! Po kush e mund rugovasin, m’tha dhe e mbylli telefonin!
Qesha! Ndoshta prej gëzimit
Jam artist me çmim t’madh i thashë qenit që kërkonte ujë, sheshit, pa kroje t’Prishtinës!
Po! Ky shitësi n’rrugë, asht artist i thashë qenit t’eçtuem! Madje me dekoratë!
Po! Ky po iu shkruen atyne, që s’dinë kush jam, jo deputetëve e ministrave, që m’rrinë karrshi, deri sa shes libra n’trotuar!
Ata e njohin vetëm Kryeministrin e ai e njeh vetëm vetvetën, e harron se i duhet edhe dashnia e popullit!?
Juve, që m’shihni rrugëve me libra, po ua dërgoj mirënjohje nga Roma, për filmin “SOFIA” të regjisorit Eduart Grishaj, që tua përkujtoj, atyne që m’udhëheqën, se kot e quejtën vetën Vipa.
Jo! Janë do artistë e do shkrimtarë që i njeh bota, para tyne!
Gusht, 2022
revista.one/