U burgos se sulmoi një person/ Lirohet reperi Fero, avokati i tij shpjegon kushtet
August 16, 2022Reperi i njohur shqiptar, Feronit Shabani – Fero, është liruar sot (e martë) nga paraburgimi, njofton Telegrafi i Kosovës.
“Sot kemi pranuar aktvendimin nga Gjykata Themelore e Gjilanit, ku klientit tim i është ndërprerë masa e paraburgimit”, ka thënë avokati Ilir Shaqir.
I pyetur se si ka arritur deri te marrëveshja, avokati potencoi se ka pasur pajtim mes palëve.
“Kjo vjen në sajë të pranimit të fajësisë nga i pandehuri. Siç e dimë të gjithë ngjarja e shkaktuar ka qenë falë një provokimi, jo vetëm me muzikë por edhe me gjeste që ka çuar deri edhe në agresivitetin e situatës. Dy palët janë pajtuar, Fero është shprehur i penduar për atë që ka bërë dhe kështu kanë arritur në një dakoordësi dhe janë pajtuar”, ka thënë Ilir Shaqiri për Telegrafin.
Pavarësisht pajtimit, Gjykata e Gjilkanit pritet t’i shqiptojë një dënim reperit gjilanas, i cili ende nuk është vendosur.
“Po, dënim do të ketë, ne po e presim vendimin final ku do të na kumtohet se me çfarë dënimi do të pasojë vepra e kryer nga klienti”, përfundoi avokati i Feros.
Fero është duke u gjykuar për veprën ‘Sulmi’, pasi në mediat online kishte qarkulluar një video e tij, ku shihej duke ushtruar dhunë ndaj një qytetari në veturën e tij.