Profili i Vjosa Osmanit, politikania më votuar që u zgjodh presidente e Kosovës
April 4, 2021Vjosa Osmani Sadriu u zgjodh presidente e Kosovës në raundin e tretë të votimit.
Në seancë kanë marrë pjesë 82 deputetë. Osmani mori 71 vota për dhe 11 të pavlefshme.
Në raundin e tretë të votimit mori pjesë edhe Adelina Grainca, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ajo ishte e vetmja deputete nga kjo parti e pranishme në sallë. Gjatë seancës, ajo u ulë në pjesën ku ulen deputetët e LVV-së.
Profili
Dr. Vjosa Osmani Sadriu u lind më 17 maj 1982 në Mitrovicë, në Kosovë.
Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka mbaruar në Mitrovicë. Fakultetin e Drejtësisë e kreu në Universitetin e Prishtinës.
Studimet Master dhe studimet e Doktoraturës i kreu në Universitetin e Pittsburghut në Pensilvani, ShBA.
Ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër mandate. Eshtë gruaja më e votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë. Po ashtu është politikania e dytë më e votuar në zgjedhje parlamentare. Në mandatet e kaluara ajo ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Evropiane. Osmani ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.
Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 5 nëntor 2020, ajo mori detyrën e u.d. si Presidente e Republikës së Kosovës.
Gjatë viteve 2006-2010, Vjosa Osmani ka shërbyer si Shefe e Stafit të presidentit Sejdiu.
Ajo ka përfaqësuar Presidentin në Komisionin për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ka qenë anëtare e ekipit të Republikës së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Që nga viti 2006 ka ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Si profesor vizitor ka ligjëruar edhe në Universitetin e Pittsburghut në ShBA. Për disa vite ka ligjëruar edhe në RIT – Kosovo (AUK), Kolegjin AAB – Riinvest. Osmani ka mbajtur ligjërata tematike në universitete të tjera në Evropë e në ShBA.
Nga Universiteti i Pitsburgut është nderuar me çmimin “Sheth International Award”.
Është anëtare e Bordit të Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ajo është anëtare në Komisionin Drejtues të Deputetëve të rinj të Bankës Botërore dhe FMN-së.
Flet gjuhën angleze, turke, serbokroate dhe komunikon në spanjisht. Është e martuar dhe ka dy vajza binjake. Jeton në Prishtinë. /revista.one/