“Ka me kalu”, regjisorja Flonja Kodheli: Film për traumat e diktaturës
September 22, 2022Filmi “Ka me kalu” risjell në Tiranë Flonja Kodhelin jo vetëm në rolin e aktores, por edhe si regjisore. Traumat e patrajtuara të diktaturës dhe paranoja e mbetur prej tyre që na ndjek nga pas kudo që shkojmë si një pjesë e jona e dhimbshme dhe therëse vjen me një qasje tërësisht njerëzore. Një grua që ka ikur nga Shqipëria por që e ka marrë atë me vete me Shqipërinë e frikës dhe terrorit e rrëfen të shkuarën përmes hijeve të saj.
Filmi u shfaq në Shqipëri në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut. Drejtori i festivalit, Kujtim Çashku, njëherësh regjisor, vlerësoi filmin dhe ndau me të pranishmit, emocionet e sallës së Akademisë Marubi ku u shfaq filmi.
Flonja Kodheli tregon se në fillim në qendër të filmit do të ishte një familje italiane e trembur nga brigadat e kuqe, ndërsa më pas, e kuqja u bë ajo e diktaturës shqiptare si një histori më afër saj.
“Kishim dëshirë të flisnim për traumën e thellë, për traumën që nuk e trajtojmë dhe për traumat e padukshme që një ditë duken, janë evidente dhe na klithin. Nuk e kisha marrë si mision për të folur për diktaturën dhe pasojat e diktaturës në Shqipëri”, tha ajo.
“U impresionova shumë kur mësova që Flonja që kishte karrierë si aktore, tashmë ka një film si regjisor. Ky vendi që jemi në ketu është vend i shenjtë, dhe pjesë e kontributit për ta bërë të shenjtë, kanë edhe prindërit e Flonjës”, deklaroi Kujtim Çashku.
Me Ilir Vincen e Flonja Kodhelin në dy rolet kryesore, në filmin “Ka me kalu”, nënë e bijë përballen me paranojat e nënës, që pasi ka kaluar një pjesë të madhe të jetës në diktaturë, ndihet ende e përndjekur nga ish Sigurimi, edhe pse ka emigruar. Kodheli dhe bashkeskenaristja Leenda Mamosa ndërgjegjësojnë për traumat e patrajtuara të individit, duke na kujtuar edhe traumat e patrajtuara të kombit ndërsa politika e madhe tregohet përmes pasojave të saj.
revista.one/